Lajme
Gjykata Speciale në duart e holandezëve dhe rumunëve| Asnjë anglez s’është i punësuar në Hagë
Demokracia
19:54 | 05 Korrik 2022

Share:

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar ditë më parë ka publikuar raportin për vitin 2021.

Që nga themelimi e nisja e punës, Dhomat e Specializuara të Gjykatës dhe Prokurorisë në Hagë janë akuzuar me të madhe për trajtim jashtë çdo norme ligjore të të akuzuarve, e konkretisht ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

Ky institucion ditë më parë ka publikuar edhe raportin e vitit 2021, raport ky i cili është i përbërë nga gjithsej 88 faqe, shkruan Demokracia.com.

Në faqen 61 të këtij raporti është dhënë pasqyra e nacionaliteteve të personave që punojnë në Gjykatën dhe Prokurorinë Speciale, ajo që bie në sy është se numri më i madh i punëtorëve vijnë nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtetet më mike të Kosovës dhe përfaqësimi i punonjëseve të këtyre shteteve në Gjykatën dhe Prokurorinë Speciale në Hagë nuk është i kënaqshëm, shkruan më tutje Demokracia.com.

Mbretëria e Bashkuar nuk e ka asnjë punonjës të saj në Gjykatën dhe Prokurorinë Speciale, përderisa Shtetet e Bashkuara kanë rreth 20 punëtorë.

Numri më i madh i punëtorëve është nga Holanda, pastaj nga Rumania jonjohëse e Kosovës. Janë mbi 70 punëtor holandezë që punojnë në Gjykatën dhe Prokurorinë Speciale në Hagë, kjo ndoshta për faktin se kjo gjykatë edhe është me seli në këtë shtet.

Holanda edhe pse e ka njohur pavarësinë e Kosovës, është një ndër shtetet që e kundërshton fuqishëm heqjen e vizave për kosovarët.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë, kanë qenë epiqendër e kritikave për qasjen ndaj të akuzuarve të deritanishëm, të cilëve u është mohuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri.

Së fundmi, kritika ka pasur edhe nga vet pushteti aktual në Kosovë, Vetëvendosje, me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se institucionet duhet të jenë të brengosura me atë çka po ndodhë në Hagë, duke aluduar në një tendencë të qëllimshme të izolimit të ish-pjesëtarëve e krerëve të UÇK-së.

“Po bëhen gati dy vite prej kur ata janë marrë, faktikisht janë bërë dy vite prej kur ka dalë aktakuza sepse në qershor të vitit 2020 e pamë aktakuzën për herë të parë, e deri tash ende nuk ka filluar procesi gjyqësor. Në terma të gjykatave dhe proceseve ku kemi të bëjmë me të pandehurit, kjo mund të quhet lirisht njëfarë tendence e izolimit të personave, pra izolim që ata të mos mund të jenë me familjet e tyre, që të mos mund të jenë në vendin e tyre dhe të jenë të shkëputur prej aktivitetit të tyre publik që e kanë pasur faktikisht. Kjo është për mendimin tim shumë shqetësuese, edhe institucionet tona për këtë arsye janë të brengosura me çka po ndodh atje”, ka thënë Konjufca.

Ndërkaq gjatë ditës së sotme (5 korrik 2022), mbrojtja e Kadri Veselit ka kërkuar nga Gjykata Supreme, e cila funksionon brenda Gjykatës Speciale në Hagë –  që ta urdhërojë lirimin e përkohshëm të tij, ndërsa ka vlerësuar se praktikat e deritashme lidhur me këtë çështje të treguara nga Dhomat e Specializuara janë alarmante.

Kështu, Emmerson ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit për të mos lejuar lirimin e përkohshëm të Veselit, dhe të njëjtën gjë ia ka kërkuar edhe Gjykatës Supreme, pasi që, sipas tij, paraburgimi i Veselit tani është bërë i paarsyeshëm dhe se në çdo rast gjykatat më të ulëta kanë bërë shkelje dhe gabime në vendimet e tyre.

Në shkresën e tij, e cila është publikuar në faqen e Gjykatës Speciale, Emmerson ka rikujtuar se Dhomat e Specializuara kanë ndaluar 100 % të të gjithë të akuzuarve të saj në paraburgim, ndërsa ka shtuar se për një institucion që supozohet t’u përmbahet standardeve më të larta të të drejtave të njeriut, kjo praktikë nuk është veç e mjerueshme, por edhe alarmante.

“Paraburgimi duhet të jetë përjashtim, jo rregull. Megjithatë, praktika e Dhomave të Specializuara tregon krejt të kundërtën”, ka thënë Emmerson. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

Rumania që s’e njeh Kosovën, shteti i dytë me më së shumti punëtorë në Gjykatën Speciale

Të ngjashme
Lajme • 19 Prill 2024