Mbrojtja e krerëve të UÇK-së në seancën statusore të Gjykatës Speciale ka akuzuar Prokurorinë e kësaj gjykate për fshehje të deklaratave shfajësuese, duke e marrë si rast deklaratën e ish-ambasadorit të OSBE-së në Kosovën e pasluftës, Dan Everts.
Fshehjen e deklaratave shfajësuese, mbrojtja e ka cilësuar si skandaloze, duke kërkuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake që të hetohet ky rast, sepse është i padëgjuar në drejtësinë ndërkombëtare, raporton Demokracia.com.
“Dhuna pas 1999 nuk ishte pjesë e një fushate të organizuar nga udhëheqësit shqiptarë”, kishte thënë Dan Everets në dëshminë e tij para katër vjetëve.
Mbrojtja ka kërkuar që menaxhimi i materialit shfajësues të bëhet nga një mekanizëm i pavarur, meqë si mbrojtës nuk kanë besim më në Prokurorinë e Gjykatës Speciale.
“Pse i lanë jashtë ato prova që ishin shfajësuese? Pse nuk e përdorën deklaratën e ambasadorit më parë? Por, vetëm këtë javë e bënë të njohur”, ka pyetur avokati i Thaçit Prokurorinë dhe Gjykatësin e Procedurës Paraprake.
Keohe ka theksuar se s’ka deklaratë më shfajësuese se kjo e ambasadorit Everts. /Demokracia.com/