Lajme
Gjykata për herë të katërt i jep të drejtë investitorit, fillon projekti
Demokracia
15:30 | 09 Shkurt 2023

Share:

Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë investitorit lidhur me projektin për objektin afaristo-banesor në “Lakrishtë”, i cili është iniciuar nga NPB-ja dhe do të ndërtohet në partneritet publiko-privat.

Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit që është marrë më 20 janar e që e posedon Paparaci, thuhet se është refuzuar si i pabazuar propozimi LVV-së në Prishtinë për caktimin e masës së sigurisë ndaj projektit të Ndërmarrjes Publike Banesore për ndërtimin e objektit afaristo-banesor në lagjen “Lakrishte”.

 

Bazuar në aktvendim, Gjykata Themelore ka vlerësuar se ankesa e të autorizuarit të propozuesit të masës së sigurimit është e pathemeltë.

“Nga shkresat e lëndës konstatohet se paditësit-propozuesit e masës së sigurimit, pranë gjykatës së shkallës së parë, kanë paraqitur padi për anulim kontrate për ndërtim të përbashkët të objektit banesor afarist Lrp.4791/2021 ref. 955/2021, me propozim për caktimin e masës së sigurisë”, thuhet në aktvendimi.

 

Kësisoj, Gjykata e shkallës së parë, ka nxjerr aktvendimin ku ka refuzuar propozimin e propozuesit.

Në arsyetimin e aktvendimit thuhet se paditësit kanë dështuar ta bëjnë të besueshme kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, pasi që nuk kanë paraqitur asnjë arsye bindëse me të cilën “do të vërtetohet e drejta subjektive, ndërlidhja mes drejtës subjektive dhe pronës objekt kontesti”.

“Përveç drejtës subjektive, nuk është argumentuar as elementi i rrezikut, që do të thotë se nuk janë plotësuar premisat ligjor të kërkuar për caktimin e masës së sigurimit të kërkesë-padisë”, vijon vendimi.

“Tutje ka theksuar se arsye tjetër për refuzimin e propozimit për masë të sigurimit, ka të bëjë me kërkesën e njëjtë të kërkesë-padisë dhe asaj me masë, sipas dispozitës së nenit 300 par.3 të PK-së, sipas së cilës parashihet se ‘masat e sigurimit nga ky nen, nuk guxojnë në tërësi të përfshijnë kërkesën që sigurohet me anë të tyre”.

Apeli ka vlerësuar se nuk qëndrojnë as pretendimet tjera ankimore të paraqitura në ankesë për shkak se ‘gjykata e shkallës së parë, përfundimin e saj e ka arsyetuar në masë të mjaftueshme sa i përket rrethanave që kanë ndikuar për refuzimin e kërkesës për sigurimin kërkesë-padisë’.

Krejt në fund, Apeli thotë se i ka vlerësuar të gjitha pretendimet ankimore, por se nuk ka gjetur se ekziston “ndonjë shkelje e cila do të ndikonte që vendimi të kualifikohet si i tillë, për çka çështja do të duhej të kthehej në rishqyrtim”.

Të ngjashme