Lajme
Gjykata në Fixhi vendos që të lejohet konfiskimi i superjahtit të oligarkut rus nga ShBA-të
Demokracia
09:30 | 08 Qershor 2022

Share:

Një superjaht në pronësi të një oligarku rus që lundroi për në Fixhi për t’i shpëtuar konfiskimit, është marrë nga ShBA-ja, pasi një gjykatë la në fuqi një urdhër të FBI-së.

Policia amerikane kishte gjurmuar për muaj të tërë ‘Amadeam’ 106 metra të gjatë, e cila është në pronësi të oligarkut të sanksionuar rus, Suleiman Kerimov.

Agjentët kishin kapur varkën posa kishte mbërritur në Fixhi në muajin prill, por pronari i varkës kishte nisur një betejë ligjore për të ndaluar konfiskimin. Ata kishin argumentuar se urdhër-arresti binte ndesh me ligjin lokal të ishullit të Paqësorit.

Megjithatë të martën, Gjykata e Lartë e Fixhit e hodhi poshtë këtë argument dhe urdhëroi dërgimin e varkës për në ShBA.

“Për përfitimin publik, ishte më mirë që anija të hiqej”, tha kryegjykatësi Kamal Kumar.

Kryegjykatësi tha se anija kishte lundruar në ujërat e Fixhit pa asnjë leje, dhe me shumë mundësi për t’iu shmangur ndjekjes penale nga Shtetet e Bashkuara.

Ekipi mbrojtës i pronarëve të regjistruar të anijes kishte argumentuar se anija nuk ishte pronë e oligarkut Kerimov, dhe përkundrazi i përkiste një biznesmeni tjetër rus, i cili nuk përballet me sanksione. Por, autoritetet amerikane pretendojnë se Kerimov ka një lidhje me varkën.

FBI tha se anija ishte përpjekur gjithashtu t’i shpëtonte zbulimit pothuajse menjëherë pasi filloi lufta Rusi-Ukrainë, duke fikur sistemin e saj të automatizuar të gjurmimit.

Autoritetet amerikane sanksionuan për herë të parë Kerimov në vitin 2018 për një sërë akuzash për pastrim parash, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Drejtori i Prokurorisë Publike të Fixhit tha se vendimi i gjykatës të martën tregoi përkushtimin e vendit të tij ndaj kërkesave për ndihmë të jashtme dhe ligjit.

Të ngjashme