Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji për zyrtarin policor që keqpërdori detyrën zyrtare.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se polic i Njësisë për Reagim të Shpejtë, ka dëmtuar kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në objektin biznesor në fshatin Izvor – komuna e Zveçanit, përcjell Demokracia.com.
“Mitrovicë, 27 maj 2022 – Gjykata Themelore në Mitrovicë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe të pandehurit A.R., i ka caktuar masën e paraburgimit prej një (1) muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar“, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare“, si dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatë.
“I pandehuri A.R., polic i Njësisë për Reagim të Shpejtë, ka dëmtuar kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në objektin biznesor në fshatin Izvor – komuna e Zveçanit me pronar i dyshuari S.N., ku është kryer kontrollimi dhe është gjetur laboratori për prodhimin e substancave narkotike si dhe janë gjetur 10 mijë bimë narkotike të llojit marihuanë”, thuhet në njoftim.