Lajme
Gjykata liron shtatë të rinjtë serbë që rrahën djalin e Rashiqit
Demokracia
18:35 | 09 Mars 2021

Share:

Departamenti i Gjykatës Themelore në Graçanicë gjatë ditës së sotme mori vendim të ri për rastin e shtatë të rinjve serbë që u dyshua se kishin rrahur djalin e politikanit serbë të Kosovës, Nenad Rashiq, Nikolla Rashiq.

Është marrë vendim i ri për rastin e shtatë të rinjve serbë, që dyshohet se kanë sulmuar fizikisht djalin e politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq, Nikolla Rashiq. Ngjarja ka ndodhur pranë oborrit të shkollës në Lapnasellë, më 22 shkurt, përcjell Demokracia.com.

Bazuar në propozimin e prokurorit, gjykata vendosi t’i lirojë katër të dyshuarit nga paraburgimi, kurse për tre të tjerë vendosi burg shtëpiak, mirëpo më pas, edhe kjo masë u hoq dhe u lanë të lirë të gjithë të dyshuarit, ka njoftuar avokati i njërit prej të dyshuarve, Negovan Sharanoviq për Radio Kim.

“Për të tre të dyshuarit, Marko Ristiq, Çedomir Zhivkoviq dhe Lazar Karaxhiq, gjyqtari i procedurës paraprake vendosi pas seancës të refuzojë kërkesën e ndryshuar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke i liruar nga paraburgimi”, ka thënë avokati Sharanoviq, i cili përfaqëson Lazar Karaxhiq.

Ai, gjithashtu ka thënë se nuk e di nëse do të ngrihet aktakuzë ndaj të dyshuarve për rrahjen e 22 shkurtit.

“Nëse ndodh kjo, avokati mbrojtës do të veprojë sipas ligjit. Nuk do të doja të paragjykoja, por unë kam mbrojtur qëndrimin se klienti im Lazar Karaxhiq, nuk ka arsye të jetë i dyshuar, po ashtu as i burgosur, gjë që me këtë vendim është faktuar”, ka thënë ai.

Kurse,  kolegu i tij Predrag Millkoviq tha se edhe ai ishte i kënaqur me vendimin e gjykatës për lirimin e katër të dyshuarve serbë.

“Mendoj se edhe në fillim kur ndodhi rasti nuk ka pasur nëvojë të caktohen masa. Ky është një krim i vogël, shpresoj se prokuroria do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore. Nëse ndodh që të ngritet aktakuzë, natyrisht ne do të vazhdojmë me procedurat dhe përfaqësojmë interesat e klientëve tanë. Sidoqoftë, mendoj që gjykata mori vendimin e duhur duke hequr masën e paraburgimit”, ka thënë Millkoviq.

Në anën tjetër, babai i të dyshuarit Zhivkoviq, Sinisha, ka thënë se edhe ai më në fund është i kënaqur me verdiktin e gjykatës.

“Fëmijët janë në paraburgim që 16 ditë, ne jemi të kënaqur me këtë aktgjykimin. Tani nuk ka asnjë akuzë penale, por ne do të shohim se çfarë do të ndodhë më vonë,” tha ai.

Kur ndodhi sulmi ndaj Nikolla Rashiqit, politikani Nenad Rashiqi, akuzoi Listën Serbe dhe Beogradin për nxitje të dhunës, derisa Lista Serbe tha se është “një inskenim i Nenad Rashiqit në koordinim me politikanët në Prishtinë”. /Demokracia.com/

Të ngjashme