Lajme
Gjykata Kushtetuese shpall anti-kushtetues disa dispozita të Kodit Doganor dhe të Akcizave
Demokracia
16:38 | 29 Prill 2025

Share:

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur anti-kushtetues paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 të Kodit Doganor dhe të Akcizave, duke konstatuar se këto dispozita cenojnë parimet themelore kushtetuese të barazisë para ligjit, vlerave demokratike dhe mbrojtjes së të drejtës së pronës.

Sipas aktgjykimit të publikuar, Gjykata ka vlerësuar se ndryshimet e përfshira në këto paragrafë, që ndërlidhen me kalimin e funksioneve nga marrëdhënie pune me afat të pacaktuar në pozita me mandat të caktuar njëvjeçar, krijojnë pasiguri juridike për zyrtarët e Doganës dhe nuk garantojnë mbrojtjen e të drejtave të fituara.

Në veçanti, Gjykata ka theksuar paqartësitë dhe mospërputhjet brenda vetë nenit 331, ku për shembull Drejtori i Përgjithshëm përjashtohet në mënyrë eksplicite në një paragraf, ndërsa përfshihet në një tjetër.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në rastin KO234/24, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së paragrafëve 2, 4, 5, 6 dhe 7 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit nr. 08/L-247 Doganor dhe të Akcizave, të parashtruar nga Avokati i Popullit, bazuar në përcaktimet e nënparagrafit 1 të paragrafit 2 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, ka vendosur njëzëri (i) të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe të konstatojë që: (ii) paragrafi 2 i nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247, nuk është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (iii) që paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247 nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 6 i nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247 nuk është në përputhshmëri me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 7 i nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247, nuk është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (v) të shpallë njëzëri, të pavlefshëm paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247; dhe (vi) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme