Lajme
Gjykata e Ferizajt merr vendim ndaj 15 të dyshuarve në rastin “Fajdeja”
Demokracia
16:51 | 03 Tetor 2023

Share:

Gjykata Themelore në Ferizaj, ua ka vazhduar masën e paraburgimit të dyshuarve Besnik Salihu, Fadil Salihu dhe Egzon Salihu, ndërsa të dyshuarve Shefik Rexhepi, Ramiz Ademi u është vazhduar masa e arrestit shtëpiak, kurse të dyshuarit Bahri Abazi iu është zëvendësuar masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak, të gjithëve nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Fajdeja”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Detyrimi”.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zyra për informim e kësaj gjykate, ku u bë e ditur se të dyshuarve, këto masa iu vazhdohen deri më 25 tetor 2023.

Po ashtu, gjykata bëri të ditur se të dyshuarve Skender Bajrami, Bashkim Osmani, Shukri Haxhiu, Mujë Ademi iu është vazhduar masa e ndalimit për t`iu ofruar vendit apo personit të caktuar nga data 26 shtator 2023 deri më 25 tetor 2023.

Tutje gjykata ka njoftuar se të dyshuarit Lindrit Haradinaj, i është zëvendësuar masa e paraburgimit me masën e ndalimit për t`iu ofruar vendit apo personit të caktuar nga data 26 shtator 2023 deri më 25 tetor 2023.

Ndërsa, të dyshuarve Ajaz Muzaqi, Ardi Saraqi dhe Nexhmi Abazi, iu është zëvendësuar masa e arrestit shtëpiak me masën e ndalimit për tiu ofruar vendit apo personit të caktuar nga data 26 shtator 2023 deri më 25 tetor 2023. Ndërsa, të dyshuarit Kadri Gerbeshi, iu është zëvendësuar masa e paraburgimit me masën e dorëzanisë dhe masën e ndalimit për tiu ofruar vendit apo personit të caktuar deri më 25 tetor 2023.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, kishte bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” se në rastin e njohur si “Fajdeja”, janë filluar disa operacione të urdhër-kontrollit dhe nën hetim janë rreth 40 persona.

“Pas përfundimit të hetimeve, pritet të ngritët aktakuza për të cilën do të njoftoheni me kohë nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e kësaj Prokurorie.

Ndryshe, më 5 mars 2023 Gjykata Themelore në Ferizaj kishte caktuar masën e paraburgimit për 14 të dyshuarit e arrestuar për fajde, i vetmi që nuk ishte dërguar në paraburgim për shkak të arsyeve shëndetësore është pronari i Autosallonit “Alberti”, Skender Bajrami, të cilit gjykata i kishte caktuar masën e ndalimit të ofrimit vendit ose personit të caktuar.

Dosja e këtij rasti flet se si të dyshuarit e lartcekur kanë përfituar miliona euro përmes fajdesë, shmangies nga tatimi dhe detyrimi./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme