Lajme
Gjykata e Apelit merr vendim për ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja
Demokracia
11:07 | 20 Janar 2021

Share:

Gjykata e Apelit ka dënuar ish-kryetarin e komunës së Lipjanit, Shukri Buja me një vit burgim.

Gjithashtu Apeli ka vendosur  edhe një dënim plotësues të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbimin publik prej dy vjetëve i cili do të fillojë të ekzekutohet pas përfundimit të mbajtjes së dënimit me burg, raporton Demokracia.com

“Prishtinë, 20.01.2021- Gjykata e Apelit e Kosovë ka vendosur lidhur më ankesat në rastin e të akuzuarit Sh.B. etj. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 18.09.2020, është ndryshuar. I akuzuari Sh.B. është gjetur fajtor vetëm për një vepër penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga neni 422 par. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës(KPRK), pika.1.4 e aktgjykimit, për çka Gjykata e Apelit e ka dënuar më burgim në kohëzgjatje prej 1( një) viti, dhe dënim plotësues ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve. Dënimi plotësues do të fillon të ekzekutohet pas përfundimit të mbajtjes së dënimit me burgim. Për veprat penale nga pikat I, I.1, I.2, I.3, I.4 dhe III të pjesës dënuese ndaj të akuzuarve Sh.B. , H.G. dhe B.R. lidhur me veprën penale nga pika I e pjesës liruese ndaj të akuzuarës M.S., aktakuza është refuzuar, për shkak të kalimit të afatit të parashkrimit të ndjekjes penale. Ndërsa pjesa që ka të bëjë më pikën II të pjesës dënuese (Pika II.4 e aktakuzës), ndaj të akuzuarve H.V. dhe E.R., aktgjykimi është prishur dhe lënda i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje. Në çështjet tjera aktgjykimi ka ngelur i pa ndryshuar”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Në shtatorin e 2020-ës Gjykata Themelore kishte dënuar Shukri Bujën me dy vjet burgim, për rastin e njohur si “Feronikeli”./Demokracia.com

Të ngjashme