Lajme
Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim çështjen për kryetarin e PD-së
Demokracia
20:46 | 03 Mars 2023

Share:

Gjykata e Apelit në Shqipëri vendosi të premten që ta rrëzojë vendimin e Gjykatës së shkallës së parë Tiranë, që i dha të drejtë Sali Berishës të marrë drejtimin e Partisë Demokatike (PD), si dhe vendosi që çështja të kthehet në rigjykim.

Vendimi i shkallës së parë, që u mor më 25 mars të vitit të kaluar, e njohu si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të PD-së dhe vendimet që u morën prej tij në dhjetor të vitit 2021. Veç tjerash, ky kuvend vendosi për shkarkimin e të gjitha strukturave dhe drejtuesve të partisë së udhëhequr deri në atë kohë nga Lulzim Basha, ndryshimin e statutit, të logos, si dhe zgjedhjen e Berishës në krye të PD-së, raporton REL.

Vendimi u ankimua nga kryetari i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj, ushtrues i detyrës së kryetarit të PD-së, pas dorëheqjes së Lulzim Bashës. Pas verdiktit të gjykatës, Sali Berisha në një deklaratë për media tha se vendimi ishte politik.

“Sot Edi Rama dha vendimin e tij me të cilin ka një synim, likuidimin e opozitës shqiptare dhe pluralizmit. Gjykata lexoi vendimin e përgatitur me kohë nga Rama. PD është sot një parti më e fuqishme se kurrë. Do mbledhim së shpejti forumet drejtuese dhe do marrim të gjitha vendimet e duhura për të vijuar misionin tonë në mënyrën më të fuqishme”, tha Berisha, ndërsa nuk pranoi të merrte pyetje nga gazetarët.

Me këtë vendim të Gjykatës së Apelit, grupimi i udhëhequr nga Alibeaj do të përfshihet në garën zgjedhore të 14 majit, si Partia Demokratike institucionale, që njihet zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Edhe pse grupimi i drejtuar nga Berisha ka shpallur disa kandidatë, ata nuk mund të regjistrohen në KQZ dhe do të duhet të gjendet një alternativë tjetër, siç ndodhi në zgjedhjet vitit të kaluar, ku kandidatët e tij garuan nën logon e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, e regjistruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane.

Afati i fundit për regjistrimin e forcave politike që do të garojnë në zgjedhjet lokale është data 6 mars.

Lëkundjet në Partinë Demokratike filluan në vitin 2021 kur Basha përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-së dhe nga vetë partia ish-kreun e partisë, ish-kryeministrin Sali Berisha, pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për ta shpallur Berishën person të padëshiruar (person non grata) për shkak të akuzave për korrupsion.

Të ngjashme