Gjykata e Apelit ia ka ashpërsuar dënimin me burgim të akuzuarit Pjetër Ndrecajt.
Gjykata e Apelit e ka dënuar Pjetër Ndrecajn më 30 vjet burgim nga 24 vjet e 6 muaj sa ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
“Prishtinë, më 12.02.2021 – Gjykata e Apelit e Kosovës ia ka ashpërsuar dënimin me burgim të akuzuarit P.N. Kështu nga 24 vjet e 6 muaj sa ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, Apeli të akuzuarin për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 par. 1, nën par.11 të Kodit Penal të Kosovës (KPRK), e ka dënuar më 30 vjet burgim.”, thuhet në komunikatën për media.
Ngritja e dënimit për të akuzuarin që vrau graun dhe vajzën e tij erdhi pasi që Gjykata e Apelit konkludoi se gjykata e shkallës së parë, nuk i ka vlerësuar drejtë rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
“Nuk i ka marr për bazë disa rrethana renduese, sidomos faktin se i pandehuri edhe më parë është sjellë në mënyrë të dhunshme me bashkëshorten, tani të ndjerën V.N., se veprën penale e ka kryer në shtëpinë e familjes së saj, në prezencë të anëtarëve të familjes, se ka privuar nga jeta edhe vajzën e tij si dhe një mori rrethanash tjera. Gjykata e Apelit, në këtë rast ka zbatuar dispozitën e nenit 42 të KPRK-së, sipas të cilave parashihet që për veprat penale për të cilat është paraparë dënim jo më pak se 10 vjet, apo dënim me burgim të përjetshëm, gjykata mund të shqiptoj denim me burgim deri në 35 vjet.”/Demokracia.com