Gjykata Administrative Federale në Leipzig ka marrë një vendim të rëndësishëm lidhur me zbatimin e marrëveshjes së Dublinit, duke lejuar kthimin e dy emigrantëve në Greqi – vendi i parë i hyrjes së tyre në Bashkimin Evropian. Rasti në fjalë përfshinte një 34-vjeçar pa shtetësi nga Gaza dhe një 32-vjeçar nga Somalia, të cilët kishin hyrë në BE përmes Greqisë në vitet 2017 dhe 2018 dhe kishin marrë statusin e refugjatit atje.
Megjithatë, të dy kishin udhëtuar më pas drejt Gjermanisë, ku kërkuan sërish azil. Autoritetet gjermane, në përputhje me rregulloren e Dublinit, kërkuan deportimin e tyre në Greqi, por çështja përfundoi në gjykatë për shkak të shqetësimeve mbi kushtet e jetesës në kampet greke të refugjatëve.
Gjykata vendosi që të dy individët mund të deportohen, duke vlerësuar se si persona të rinj, të shëndetshëm dhe të aftë për punë, ata nuk përballen me “kushte degraduese apo çnjerëzore” në Greqi. Sipas gjykatës, kthimi i tyre nuk përbën shkelje të të drejtave themelore të garantuara nga Karta e të Drejtave të BE-së dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ky vendim ndikon drejtpërdrejt në politikën e migracionit në Gjermani, e cila përballet me sfidën e “emigrimit dytësor” – kur azilkërkuesit hyjnë në BE nga vendet jugore si Greqia, Italia apo Spanja, dhe më pas udhëtojnë drejt vendeve më të pasura si Gjermania për të kërkuar azil përsëri.
Pavarësisht kritikave nga vendet e vijës së parë të hyrjes në BE, rregullorja e Dublinit mbetet në fuqi dhe ky vendim e forcon më tej zbatimin e saj në praktikë.