Në pjesën më të madhe të jetës së saj kjo ndërtesë i ka shërbyer ushtarakëve. Ndërsa, sot i shërben njohjes së historisë.
E kaluara e luftës fillon të përjetohet dhe të shihet nga afër edhe këtu, shkruan Demokracia.com.
Në pjesën e lartë të muzeut gjendet një pjesë e historisë së luftës së fundit.
Llojet e ndryshme të armëve, uniforma e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, uniformat e dëshmorëve dhe ajo që bie në sy e që iu lë përshtypje vizitorëve, si vendorëve, po ashtu edhe ndërkombëtarëve, është edhe motori i komandantit legjendar Adem Jashari. Por, sipas zyrtarëve të Muzeut Kombëtar, me rëndësi është se edhe fëmijëve të grup-moshave të ndryshme u intereson kjo histori dhe u bëjnë përshtypje gjurmët e luftës së UÇK-së të prezantuara në Muzeun Kombëtar të Kosovës.
Bashkë më artefaktet që ruhen në Muzeun Kombëtar të Kosovës, si shenjë e përkujtimit të luftës së Kosovës, në kornizat e këtij muzeu ruhet edhe uniforma shumë e veçantë e pilotes së parë shqiptaro-amerikane Faruza Kallabës, e cila me aeroplanin e saj si pjesë e NATO-s bombardoi mbi caqet serbe në Kosovë, që për 78 ditë intervenim pati një rol tejet të rëndësishëm në këtë mision. Ajo u lind në Damask të Sirisë, nga babai shqiptar Haki Kallaba me prejardhje nga Kamenica dhe nëna ukrainase Ana Senkiewicz.
Ajo dhe familja e saj ishin shpërngulur nga Arabia në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku edhe jetojnë sot. Në muze, po ashtu, gjendet edhe uniforma e ish-shefit të misionit të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, ambasadorit William Walker që alarmoi botën për krimet e forcave serbe në Reçak dhe ajo e ish-gjeneralit të NATO-s, Wesley Clark.
Edhe pjesët informative që kanë shërbyer gjatë kohës së luftës dhe shtabeve të ndryshme ruhen në Muzeun Kombëtar të Kosovës.
Të gjithë ata që ndihmuan në luftën e Kosovës, përfshirë edhe organizimin e shqiptaro-amerikanëve të Batalionit “Atlantiku”, tanimë janë pjesë e trashëgimisë kulturore që ruhet në Muzeun e Kosovës.
Në muze mund t’i shihni edhe disa relikte të ish-sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright.
Tek pjesa e gjithë këtij rrugëtimi prej parahistorisë e deri tek shpallja e Pavarësisë së Kosovës, gjendet deklarata e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, e lexuar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi. Ndërsa, flamujt që gjenden këtu janë vendosur për t’i falënderuar shtetet që e kanë njohur Kosovën si shtetin më të ri të botës në atë kohë.
Muzeu i Kosovës përfshin një koleksion me më shumë se 50 mijë eksponate të profileve të ndryshme, prej pavijonit të arkeologjisë, teknologjisë, historisë, natyrës, etnokulturës, folklorit, trashëgimisë, etj. Aktualisht, muzeu është duke u angazhuar në rikthimin e mbi 1247 objekteve/artefakteve të rëndësishme për trashëgiminë kulturore të Kosovës të marra nga Beogradi gjatë vitit 1998. /Demokracia.com/