Lajme
Gjunjëzimi i Kurtit për veriun | Plani “5 Pikësh” mbetet në harresë, bandat kriminale nuk largohen nga veriu i Kosovës
Demokracia
23:06 | 11 Korrik 2023

Share:

Qeveria e Kosovës, në orët e vona të së martës njoftoi për tërheqjen graduale të forcave të njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë Veriore.

Ky pajtim u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Kështu, kryeministri Albin Kurti, u gjunjëzua pa i përmbushur zotimet se do të vinte rend e rregull në veri dhe se do të zhdukë bandat kriminale. Ai u vuri shkelmin kushteve të tij, shkruan Demokracia.com.

Kurti sonte njoftoi se i dha një shqelm planit të tij me pesë pika që e prezantoi para pak kohësh, për normalizimin e situatës në veri të Kosovës.

Kur i prezantoi pesë pikat e tij Kurti theksoi se fillimisht duhet të vendoset sundimi i ligjit në veri, të tërhiqen grupet kriminale serbe, e më pas të shpallen zgjedhjet e parakohshme në koordinim me aleatët.

PLANI ME 5 PIKA:

Pika e parë që Kurti e propozoi ishte: Sundimi i ligjit në katër komunat në veri. Situata në veri nuk është normale për një kohë të gjatë por eskalimi më 29 maj e bënë urgjent sjelljen para drejtësisë të gjithë atyre që ushtuan dhunë ndaj policisë së Kosovës, KFOR-it dhe mediat.

Pika e dytë: Grupet e dhunshme tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës.

Pika e tretë: Policia e Kosovës dhe KFOR, apo EULEX-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë për të garantuar ambient të sigurt për të gjithë.

Pika e katërt: Qeveria e Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do të shpall zgjedhjet e reja në veri.

Pika e pestë: Kosova dhe Serbia rikthehen menjëherë në dialogun e lehtësuar të Brukselit. Udhëheqësit e dy shteteve takohen në nivel të lartë gjatë kësaj jave dhe Bashkimi Evropian të siguroj një plan renditje të drejtë dhe të balancuar për zbatimin e marrëveshjes bazike.

Sipas njoftimit të Qeverisë, prania policore në dhe rreth ndërtesave komunale në veri do të zvogëlohet menjëherë për 25 për qind.

Po ashtu, Kosova dhe BE-ja janë pajtuar edhe për ndërmarrjen e disa hapave të tjerë.

“Qeveria e Kosovës përmes një deklarate publike mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës”, tha Qeveria, duke shtuar se institucionet në Prishtinë shprehin përkushtim që të sigurohet baza e nevojshme ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve.Po ashtu, Policia e Kosovës, së bashku me misonin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe misionin paqeruajtës në NATO-s në Kosovë, KFOR, sipas nevojës do të bëjnë vlerësimin e gjendjes së sigurisë “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlimin e mëtejmë të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale”, njoftoi ekzekutivi.

“BE-ja do të ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel me synim të finalizimit të planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt normalizimit, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes”, tha Qeveria e Kosovës.

Bashkimi Evropian kishte paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës. Që atëherë, serbët lokalë po protestojnë në veri, duke kërkuar që përveç kryetarëve, të tërhiqen edhe njësitë speciale policore nga veriu.

Kërkesat e BE-së për Kosovën dhe Serbinë
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, më 22 qershor ka paraqitur kërkesat e bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me shtensionimin e situatës në veri:

Kosovës i kërkohet që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative
Serbisë i kërkohet të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës.

Të dyja shteteve u kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to.

Në të kaluarën, Beogradi ka luajtur rol kyç në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e organizuara në Kosovë.

Edhe më herët, krerët shtetërorë në Kosovë janë shprehur të gatshëm që të organizojnë zgjedhje të reja në komunat në veri, por kanë kërkuar që ato të përgatiten, në mënyrë që të mos ketë bojkotim.

Zgjedhjet e 23 prillit, nga të cilat dolën kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, ishin bojkotuar nga partitë dhe popullata serb.

Ndryshe, Kosova ka kërkuar vazhdimisht që të nisë zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që u arrit në Bruksel më 27 shkurt. Palët, më 18 mars në Ohër arritën edhe Aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit./ Demokracia.com/

Të ngjashme