Lajme
Gjukanoviq pret zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në janar
Demokracia
17:44 | 16 Tetor 2022

Share:

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, tha se beson se menjëherë pas 23 tetorit, Kuvendi i Malit të Zi do të shkurtojë mandatin dhe se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen në janar të vitit të ardhshëm, raporton televizioni shtetëror malazez.

Gjukanoviq vlerësoi se gjithçka tregon se është koha për zgjedhje parlamentare.

“Është padyshim koha për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Gjukanoviq.

Ai ka thënë se ka dëshiruar që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen në dhjetor, por, siç tha ai, “kanë arritur të manipulojnë parlamentin për të mos shkurtuar mandatin e tij”.

“Por jam absolutisht i sigurt se jemi afër ditës kur parlamenti, besoj se do të jetë shpejt pas 23 tetorit, që parlamenti të shkurtojë mandatin, pas së cilës unë do të caktoj zgjedhjet parlamentare për 60 ditë, kështu që do të kemi zgjedhjet parlamentare në janar dhe në to të kemi një qeveri të re të përgjegjshme, kompetente dhe të mirë, të përkushtuar të Malit të Zi”, përfundoi Gjukanoviq.

Më 20 gusht, parlamenti malazez ka votuar pro mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Dritan Abazoviq-it.

Për shkarkimin e Qeverisë votuan 50 deputetë të pranishëm dhe një kundër. Parlamenti i Malit të Zi ka gjithsejtë 81 deputetë. Për rrëzimin e një qeverie duhen 41 ose më shumë.

50 deputetët ishin të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Demokratëve, Socialdemokratëve (SDP), Partisë Liberale (LP), Partisë Boshnjake (BS), Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe “Mali i Zi i Bashkuar”.

Qeveria e tij do të funksionojë në mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Iniciativën për votëbesimin e Qeverisë e kanë dorëzuar paraprakisht 36 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve, PS, Socialdemokratëve, Partisë Liberale dhe Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve.

Në votim nuk morën pjesë deputetët e Frontit Demokratik, Partisë Popullore Socialiste dhe të koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, si dhe deputeti i Demos, Miodrag Lekiç.

Iniciativa për mosbesimin ndaj qeverisë së Abazoviq-it është paraqitur nga 36 deputetë të DPS-së, Partisë Socialdemokrate, Partisë Liberale, Socialdemokratëve dhe disa partive të tjera, pak orë pasi Abazoviq nënshkroi Marrëveshjen/Kontratën Themelore me Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe.

Të ngjashme