Lajme
Gjukanoviq: Për Malin e Zi çështja e demarkacionit është mbyllur në vitin 2015
Demokracia
15:46 | 25 Mars 2022

Share:

Demarkacioni ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës ka përfunduar në vitin 2015 dhe të dyja vendet duhet të ecin përpara për një jetë më të mirë për qytetarët e tyre.

Kështu është thënë nga kabineti i presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, për mediumin malazez “Vijesti”.

“Si fillim, Mali i Zi është shtet anëtar i NATO-s. Demarkacioni ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës u finalizua në vitin 2015. Marrëveshja u konfirmua nga të dyja qeveritë në vitin 2015 dhe hyri në fuqi në vitin 2018. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai malazez Filip Vujanoviq nënshkruan një deklaratë e përbashkët në shkurt 2018. Ata i bënë thirrje Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojë marrëveshjen. Parlamenti i Kosovës e ratifikoi një muaj më vonë. Si dy shtete, ne duhet të ecim përpara për një jetë më të mirë për qytetarët tanë”, thanë nga kabineti i Gjukanoviqit, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për demarkacionin me Malin e Zi nëse Marrëveshja mund të anulohet.

Kurti tha të hënën se çështja e delimitimit do të zgjidhet me qeverinë e re malazeze, duke “korrigjuar një gabim” të bërë nga qeveritë e mëparshme të Kosovës, duke ia “dhuruar Malit të Zi 8200 hektarë tokë”.

Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq, e quajti provokim të papranueshëm deklaratën e Kurtit.

“Unë e konsideroj provokim të papranueshëm deklaratën e zotit Kurti, që shpall aspirata të rrezikshme për cenim të integritetit territorial të Malit të Zi. Është interesant se nuk ka asnjë reagim nga presidenti i Malit të Zi dhe kryeministri antikushtetues Dritan Abazoviq”, tha Krivokapiqi.

Më 21 mars 2018, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi me 80 vota për dhe 11 kundër. Seanca u ndërpre katër herë për shkak se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje disa herë hodhën gaz lotsjellës.

Marrëveshja për Demarkacionin ndërmjet Prishtinës dhe Podgoricës, e cila u nënshkrua në Vjenë më 26 gusht 2015, ka hyrë në fuqi më 4 qershor 2019. Bëhet fjalë për kufirin (rreth 79 kilometra), i cili ishte përcaktuar me Kushtetutën e RSFJ-së të vitit 1974 ndërmjet asokohe krahinës jugore serbe dhe Republikës së atëhershme të Malit të Zi.

Të ngjashme