Lajme
Gjukanoviq jep dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë
Demokracia
20:29 | 05 Prill 2023

Share:

Milo Gjukanoviq, kryetar i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), do të japë dorëheqje nga kjo detyrë partiake, raporton Vijesti, transmeton Paparaci.

Gjukanoviq drejtoi DPS-në që nga viti 1998. Ushtruesi i detyrës së kreut të partisë do të jetë Danijel Zivkoviq. Seanca e Bordit Kryesor të DPS-së është caktuar për nesër.

Gjukanoviq më herët kishte njoftuar se do të largohej nga pozita udhëheqëse në parti dhe se duhet të mbahen zgjedhje të menjëhershme brenda DPS-së dhe të zgjidhet kryesia e re e partisë.

Ai ka udhëhequr Malin e Zi si president ose kryeministër që nga viti 1991, por udhëheqësia e tij është njollosur nga akuzat për korrupsion dhe përfshirje në krimin e organizuar.

Dorëheqja e Gjukanoviqit vjen pasi të dielën humbi zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi.

Kandidati për president të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka fituar rreth 60.2 për qind të votave në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, kurse Millo Gjukanoviq, kishte marrë rreth 39.8 për qind.

Gjukanoviq e pati uruar Millatoviqin për fitoren.

“Mali i Zi bëri një zgjedhje dhe unë e respektoj atë. Le të jetë një president i suksesshëm. Nëse është kështu, edhe Mali i Zi do të jetë një vend i suksesshëm”, tha Gjukanoviq.

Edhe kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, e ka uruar Millatoviqin për fitoren.

Ai ka shkruar në Twitter se “Mali i Zi ka një të ardhme të ndritur!” dhe se “do të punojmë së bashku për një shtet evropian, civil dhe ekologjik”.

Të ngjashme