Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka njoftuar se mandatin për formimin e qeverisë ia ka dhënë liderit të Lëvizjes Qytetare (GP) URA, Dritan Abazoviq.
Gjukanoviq dhe Abazoviq janë takuar më herët gjatë ditës së sotme, kur presidenti i Malit të Zi e ka njoftuar zëvendëskryeministrin se i ka përfunduar konsultimet dhe se ka ndërmend t’ia japë mandatin, përcjell Demokracia.com.
“Konsultimet për mandatarin e kryeministrit për përbërjen e Qeverisë, në të cilat ishin ftuar përfaqësues të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Malit të Zi, i kam përfunduar të hënën, më 28 shkurt 2022”, thuhet në sqarimin dërguar kryetarit të Kuvendit Strahinja Bulajiq.
“Përfaqësuesit e GP URA dhe partnerët e tyre politikë më kanë bindur pa mëdyshje se kanë shumicë parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së 43-të të Malit të Zi në Parlamentin e Malit të Zi. Prandaj, mora vendim që mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besoj kryetarit të GP URA, z. Abazoviq. I bindur se është në interesin më të mirë të Malit të Zi që sa më shpejt të jetë e mundur qeveria me kapacitet të plotë, veçanërisht për shkak të sfidave shtesë të sigurisë dhe politike të krijuara nga lufta në Ukrainë dhe reflektimi i saj në stabilitetin e rajonit tonë, pres që Parlamenti malazez të mbajë një seancë së shpejti dhe të vendosë për programin dhe përbërjen e Qeverisë me propozimin e kryeministrit”, ka përfunduar Gjukanoviq në sqarimin e tij.
Gjukanoviq ka shtuar se partitë tjera parlamentare nuk kanë shprehur interesim për të marrë pjesë në konsultime për këtë temë.
/Demokracia.com/