Lajme
GJKKO i dërgon me postë shkresën Berishës, njoftimi kthehet me nënshkrimin “refuzuar”
Demokracia
16:37 | 13 Nëntor 2023

Share:

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka dërguar ish-kryeministrit Sali Berisha shkresën me postë në shtëpi dhe në selinë  e Partisë për paraqitjen e tij.

Berisha e ka refuzuar sërish.

“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dërguar nëpërmjet shërbimit postar dëftesat e komunikimit për njoftimin e personit nën hetim z. S. B. pranë selisë së PD-së dhe në adresën e shtëpisë, pranë Kuvendit të Shqipërisë. Njoftimi është kthyer me nënshkrimin ‘Refuzuar’. Gjithashtu u dërguan dëftesat e komunikimit edhe avokatëve mbrojtës, përfaqësues të tij me prokurë të posaçme”, njofton Gjykata.

Në orën 15:50, avokatët e Sali Berishës kanë dorëzuar ankimimin e plotë në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër masës “detyrim paraqitje” të caktuar për aferën e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’.

Gjykata e Posaçme ka njoftuar avokatët e Sali Berishës dhe të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, të paraqiten në sekretarinë e Gjykatës Anti-Korrupsion për të marrë vendimet e zbardhura gjyqësore ndaj tyre si persona në hetim për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Palët kanë bërë ankimim të pjesshëm në Apelin e Posaçëm për masat, dhe vendimi i zbardhur është i domosdoshëm për të plotësuar kërkesën e ankimit. Gjykata u detyrua t’i njoftojë me telefonatë, për shkak se sot ishte afati i fundit ligjor për plotësimin e ankimimit.
Më herët gjatë ditës sotme, avokatët e Jamarbër Malltezit, kanë dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit shtesën e ankimimit për revokimin e masës së sigurisë.

Avokatët kërkuan revokimin e masës së sigurisë, duke theksuar se Malltezi po mbahet në burg në mënyrë të paligjshme.

I njëjti veprim pritet të merret edhe nga avokatët e ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili është në hetim për akuzën e korrupsionit pasiv për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani në Tiranë.

Oficerët do tentojnë të njoftojnë Berishën pas disa refuzimeve nga ana e tij. Kjo pasi ish-kryeministri duhet të paraqitet para oficeres së SPAK në datën 20 nëntor.

Në rast se do të refuzojë edhe në këtë datë atëherë SPAK i lind e drejta për t’ju drejtuar Kuvendit për autorizim për rëndim të pozitës së tij duke kërkuar një masë më të rëndë siç mund të jetë ajo e arrestit në shtëpi.

Ndërkaq, Gjykata e Posaçme i ka rrëzuar kërkesat e Berishës dhe  Malltezit, të cilët janë në hetim për korrupsion pasiv për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Të dy ata kërkuan ndryshim të masave të sigurisë të marra më 20 tetor 2023 dhe përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka e cila i firmosi urdhrin, por se kërkesat u hodhën poshtë.

Gjatë seancës gjyqësore avokatët e Berishës, Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj u shprehën se gjyqtarja, Irena Gjoka, duhet përjashtuar nga ky proces gjyqësorë.

Sipas avokatëve mbrojtës të Berishës, Gjoka nuk ka zbardhur vendimin me të cilën është vulosur masa e sigurisë ndaj Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, si dhe ka konflikt interesi pasi është shkarkuar nga Berisha në 1996 kur ka qenë kryetar i KLD-së.

Të njëjtat kërkesa ishin kërkuar dhe nga Jamarbër Malltezi, i cili është nën masën e sigurisë “arrest me burg”.

Edhe për Malltezin GJKKO rrëzoi pretendimet për një masë më të lehtë sigurie dhe gjithashtu përjashtimin e gjyqtares.

Në dosjen hetimore të SPAK, ku po shqyrtohet procedura e privatizimit të ish klubit shumë sportesh “Partizani” është nën hetim edhe ndërtuesi Fatmir Bekteshi, i cili është nën masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.

Në dalje nga GJKKO, Genc Gjokutaj, avokat i Berishës u shpreh se ka shkelje.

Të ngjashme