Gjykata Speciale ka mbajtur seancën e radhës kundër dy krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.
Në seancë është diskutuar rreth dorëzimit të provave materiale nga Prokuroria për avokatët e mbrojtjes.
Gjyqtari i rastit Guillou ka kërkuar nga prokuroria që të tregojë nëse ua ka dhënë materialet mbrojtjes apo jo dhe se a janë ato materiale të disponueshme për këtë seancë.
Ndërsa, prokurori ka thënë se Prokuroria nuk e ka për detyrë të japë njoftime të rëndësishme për materialet jorelevante për mbrojtjen.
“Ne nuk japim njoftime të rëndësishme për materiale jorelevante për mbrojtjen. Kjo është çështje për të cilën ne si Prokurori dhe mbrojtja kemi pikëpamje të ndryshme dhe mendoj se e kemi të bazuar këtë mbi bazën e rregullave”, tha prokurori, raporton Demokracia.com.
Në anën tjetër, mbrojta e Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit thonë se ishin shumë të qartë në kërkesën e tyre që ia kanë parashtruar Prokurorisë.
Xhonatan Elistan Ris, avokati i Hysni Gucatit, tha se sipas rregullës 102 pika 3, duhet të përfshihet çdo informacion i mbetur që është me rëndësi potenciale, materiale për mbrojtjen.
“Ajo që kërkon mbrojtja është shumë e qartë dhe është pikërisht ajo që keni urdhëruar ju i nderuar gjykatës më parë. Kemi kërkuar nga prokuroria që të bëjë një nxjerrje të plotë dhe të bëjë një njoftim të hollësishëm mbi bazën e rregullës pa vonesë dhe rregulla 102 pika 3 thotë që në këtë njoftim duhet të përfshihet çdo informacion i mbetur që është me rëndësi potenciale, materiale për mbrojtjen”, tha Ris.
Toby Cadman, avokati i Nasim Haradinajt, thotë se të dy mbrojtjet kanë një pozicion të ngjashëm sa i përket kësaj çështje.
“Mbrojtja për z. Haradinaj është e bashkuar me mbrojtjen e z.Gucati, në parashtrimet me shkrim e kemi të njëjtën qasje sot dhe pozicioni i përbashkët i dy mbrojtjeve është i njëjtë për këtë çështje. Pra, këto janë çështje të njohura për ZPS-në, sepse ka kohë që kemi parashtruar”, tha Cadman.
Nga ana tjetër, Prokuroria deklaroi se mbrojtja është munduar që ta shmang, ta devijojë gjykatën, duke u munduar që t’i referohet rregullave, ligjeve edhe mungesës së bazës së nxjerrjes.
“Çështja kundër të akuzuarve ishte e thjeshtë dhe e drejtë. ZPS-ja i plotëson tërësisht të gjitha detyrimet sa i përket, sa i takon nxjerrjes, informacioni përkatës i është dhënë mbrojtjes për një kohë të gjatë tashmë. Mbrojtja është munduar që ta shmang, ta devijojë gjykatën, duke u munduar që t’i referohet rregullave, ligjeve edhe mungesës së bazës së nxjerrjes”, tha prokurori.
Ai më tej shtoi se kanë marrë një kërkesë nga mbrojtja që ka qenë më data 5 mars dhe sipas tij i janë përgjigjur kësaj kërkese. Më pas thotë se kanë marrë edhe një tjetër kërkesë të cilës, po ashtu, deklaroi se i janë përgjigjur.
“Nga mbrojtja e z. Gucati na thuhet se të gjitha materialet dhe provat duhet të jenë pjesë e kësaj liste. Dallimi ndërmjet palëve është i qartë, se mbrojtja kërkon një listë fillestare që nuk i nënshtrohet asnjë parametri të mundshëm”, tha prokurori i rastit, transmeton Demokracia.com.
Xhonatan Elistan Ris, avokati i Hysni Gucatit, thotë se nuk i kanë parë të gjitha materialet që ta dinë se a janë të rëndësishme apo jo.
“Lidhur me materialet që kanë në zotërim vetëm prokuroria, ata e dinë se çfarë ka në ato materiale, mbrojtja nuk e di se çfarë kanë në zotërim ata, dhe ne nuk mund ta marrim përgjegjësinë e tyre, për të thënë se çfarë është i rëndësishëm, pa e parë se çfarë materiali ka”, ka thënë ai.
Ndërsa, avokati i Nasim Haradinaj, Toby Cadman, ka kërkuar nga gjykatësi që të gjendet një zgjidhje sa i përket komunikimit me Haradinajn.
Cadman thotë se komunikimin me Haradinajn herën e fundit e ka bërë nëpërmjet një xhami, dhe siç tha ai, ka pasur vështirësi në marrjen e udhëzimeve sa i përket materialeve.
Pas kësaj kërkese, gjykatësi ka kërkuar nga sekretarja që të njoftohet administratorja për këtë kërkesë, e cila është parashtruar nga avokati i Haradinajt.
Avokati Cadman kërkoi po ashtu edhe të ndryshojë qëndrimi i Prokurorisë në mënyrë që të bashkëpunohet.
“Prokurori duhet të ndryshojë komplet çështjen e saj. Dhe ajo buzëqeshja apo nënqeshja e tyre kur dëgjojnë kërkesat tona nuk ndihmon në marrëdhëniet mes nesh. Duhet të ketë një ndryshim thelbësor në qëndrimin e tyre në mënyrë që të ketë bashkëpunim”, tha ai.
Prokuroi deklaroi se ata mund t’i dorëzojnë edhe përgjigjet të cilat i ka kthyer Prokuroria për kërkesat e mbrojtjes.
“Nëse doni të dini se sa me seriozitet i kemi marrë kërkesat e mbrojtjes, ne mund të dorëzojmë edhe përgjigjet që i kemi dhënë atyre. Lidhur me parashtrimet e z. Gucati ne i kemi marrë ato shumë seriozisht, i kemi kthyer përgjigjet shumë seriozisht dhe këto nuk janë çështje për t’i marrë lehtë. Prokuroria nuk ka nevojë që të ketë një vendim tjetër në lidhje me përgjegjësitë e veta”, tha prokurori.
Në fund, gjykatësi Guillou theksoi se mbrojtja e Haradinajt nuk e ka respektuar një urdhër paraprak të tij.
“Urdhëroj mbrojtjen e Z. Haradinaj që ta dorëzojë versionin e redaktuar publik të dokumentit me kodin F 116 deri më datë 15 mars 2021. Mbrojtja e Z. Haradinaj deri tani nuk e ka respektuar këtë urdhër”, ka thënë ai.
Gjykatësi Guillou ka thënë se në momentin kur emri i stafit të Dhomave të Specializuara ose ZPS-së në një transkript publik, në përputhje me rregulloren palët duhet t’i referohen anëtarëve të tyre vetëm duke iu referuar titujve të tyre funksional.
“Në këtë kuadër, dua të theksoj që në momentin kur emri i stafit të Dhomave të Specializuara ose ZPS-së në një transkript publik, në përputhje me rregulloren, palët do t’i referohen anëtarëve të stafit të dhomave të specializuara ose ZPS-së vetëm duke iu referuar titujve të tyre funksional, në përjashtim të rasteve kur është rreptësisht e nevojshme për proceset, duhet që të gjejnë të gjitha informacionet me personat në fjalë, në qoftë se vendoset ndryshe nga presidenti apo gjykatësi. Në këtë kuadër, do të doja t’i kërkoja mbrojtjes së z. Haradianj që të jepte deri më 1 prill të vitit 2021 një version te redaktuar publik të dokumentit me kodin F116, në përputhje me paragrafin 70”, ka thënë gjykatësi.
“Urdhëroj mbrojtjen e z. Haradinaj që të parashtrojë deri më datën 1 prill 2021 një version të redaktuar të dokumenti F 124, që redakton shënimin në fund të faqes së kësaj dosje”, tha gjykatësi më tej.
Gjykatësi paraprakisht ka treguar se seanca e radhës kundër Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit do të caktohet në fund të prillit./Demokracia.com/