Java që po lëmë pas është karakterizuar me ngjarje të ndryshme në vend, rajon e botë nga të gjitha fushat. Demokracia.com në përmbledhjen javore ju sjell ngjarjet më të rëndësishme të këtyre shtatë ditëve.
Dita e hënë ishte ditë zie, pasi që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës, ka marrë vendim që 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Kosovës që humbën jetën tragjikisht në një aksident trafiku në Kroaci.
Shkaku i kësaj ngjarje tragjike, Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe do të udhëtojë për në Kosovë, thuhet në komunikatën për media.
Kujtojmë se nga aksidenti i shkaktuar në orët e hershme të ditës së dielë kanë vdekur 10 persona, ndërsa 45 të tjerë janë lënduar, 8 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Po ashtu të hënën, Nora Gjakova e ka fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Xhudistja kosovare në finale e ka eliminuar xhudisten nga Franca, Sarah Cysique në kategorinë deri në 57 kilogramë, raporton Demorkacia.com.
Xhudistja nga Franca u eliminua pasi u ndëshkua me karton të kuq. Pas fitores, Nora Gjakova dhe trajneri, Driton Kuka kanë shpërthyer në festë. Kjo është medalja e dytë e artë për Kosovën në Lojërat Olimpike në Tokio të Japonisë. E para që u stolis me medaljen e artë në ditën e parë ishte Distria Krasniqi.
HISTORIKE: Nora Gjakova fiton medaljen e artë, e dyta për Kosovën në “Tokio 2020”
Projekti i “Serbisë së Madhe” ende është i gjallë, ndërsa ata që dëshirojnë të destabilizojnë Ballkanin mundohen të shkaktojnë tensione rreth kufijve, shprehet analisti kroat, Davor Gjenero, në intervistën për “Pobjeda” të Malit të Zi. Sipas tij, Bashkimi Evropian i ka kuptuar gabimet që i ka bërë në Serbi dhe në Mal të Zi, por nuk mund të pritet se do të veprojë deri sa Administrata e Biden të hyjë në Ballkan me tërë forcën. Ndërsa, me Administratën e re amerikane, gjërat kanë ndryshuar dhe mesazhet janë të qarta, transmeton Demokracia.com
Politika e “Botës Serbe” e Aleksandër Vuçiq është e njëjtë me politikën “Bota Ruse” të Presidentit të Rusisë, Vladimit Putin, dhe është formë e re e konceptit të “Serbisë së Madhe”, konsideron analisti kroat Davor Gjenero në një intervistë për Pobjeda.
Gjenero: Shtetet e Bashkuara po përgatisin një mesazh kritik për rajonin
Gjykjata e Qarkut në Slavonski Bord, ka vendosur të marten në mëngjes që shoferit të autobusit të linjës Frankfurt – Prishtinë, që dyshohet se shkaktoi aksidentin ku vdiqën 10 persona e u lënduan mbi 45, t’i caktohet masa e paraburgimit prej një muajsh, ka njoftuar Index.hr.
Atij i është caktuar një avokat, sipas detyrës zyrtare, dhe ai është mbrojtur në heshtje, u ka thënë gazetarëve, zëvendës-Prokurori i Shtetit për qarkun në Sllavonski Brod, Franjo Kopuniq.
Një muaj paraburgim për shoferin që dyshohet se shkaktoi aksidentin në Kroaci
Policia kroate e ka sjellë sërish shoferin e autobusit në Gjykatën e Qarkut të Sllavonski Brodit. Ai është parë duke u shfaqur në Gjykatë i shoqëruar nga policia dhe me pranga në duar.
Por, ajo çfarë bie në sy është se kësaj radhe nuk ishte me këmishën e përgjakur, pasi kishte veshur një tjetër dhe pritet nga çasti në çast të dëgjohen dëshmitë e pasagjerëve që ishin në autobus kur ndodhi aksidenti, ku si pasojë humbën jetën 10 persona
Shoferi i autobusit dërgohet sërish në gjykatë, pritet të dëshmojnë pasagjerët
Organizata Jo Qeveritare “The Ideas Partnership” ka prezantuar të martën progresin në ndërtimin e një qendre të re të komunitetit dhe mësimit në Fushë Kosovë si dhe projektet për komunitetin që do të zhvillohen në qendrën që pritet të jetë e gatshme në vjeshtë. Kjo hapësirë do të shërbejë si qendër mësimore për fëmijët e komunitetet Rom, Ashkalinj, Egjiptian, ndërsa do të zhvillohen edhe shumë aktivitete tjera.
Kjo qendër do të jetë vendi ku pjesëtarët e këtij komuniteti do të mund të shprehen, të komunikojnë, të bashkëpunojnë, e të zhvillojnë aftësitë e tyre, duke krijuar kështu mundësi që të integrohen sa më lehtë në shoqëri, shkruan Demokracia.com.
TIP prezanton projektin e Qendrës që do të ndihmojë fuqizimin e komuniteteve në Fushë-Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën më 28 korrik, ka pritur në takim Sekretarin e shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger. Por, çka i tha Berger-Kurtit për vazhdimin e dialogut dhe çka paraqiti komunikata për media e dërguar nga Zyra për Komunikim me Publikun nga Qeveria dhe pse Kurti nuk shkroi asgjë në rrjetin social Facebook lidhur me këtë takim?, shkruan Demokracia.com
Menjëherë pas këtij takimi, diskutimet midis kryeministrit Albin Kurti dhe Sekretarit të shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë u bënë të ditura vetëm përmes një komunikate për media dërguar nga Zyra për Komunikim me Publikun nga Qeveria.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të enjten kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim rajonal, që është quajtur me titullin e ri “Open Ballkan”.
Tre liderët Zaev, Rama dhe Vuçiq, në kuadër të forumit nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.
Marrëveshja parasheh ndërtimin e “korsive të shpejta” në pikat kufitare, për kalimin më të shpejtë të njerëzve nga shtetet e rajonit. Ajo përmban edhe dispozita për sa i përket thjeshtësimit të formaliteteve për importin, eksportin dhe lëvizjen përkatësisht transportimin e mallrave; bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente; si dhe dispozitat e veçanta për sigurinë e ushqimit, çështjet veterinare dhe fitosanitare dhe lëvizjen e lirë të produkteve industriale jo-ushqimore.
Rama – Vuçiq – Zaev nënshkruajnë marrëveshjet për bashkëpunim rajonal
Qeveria e Kosovës thotë se iniciativa e ‘mini-Shengenit’ është nismë pa vizion për rajonin.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë në Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, që deri tani njihej si “mini-Shengeni” Ballkanik.
“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje.
Qeveria e Kosovës: Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjtën është takuar me ambasadorin jorezident të Irlandës në Kosovë, Ronan Gargan, dhe, përmes një komunikate për media, u bë e ditur se Kurti ka thënë se Irlanda mund të jetë zë i rëndësishëm në BE për avokimin në përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Irlanda në fakt nuk është në Zonën Schengen edhe pse është në BE, e rrjedhimisht edhe fjala e saj në çështjet që lidhen me Zonën Schengen nuk e ka peshën e vendeve anëtare që janë edhe pjesë e Zonës Schengen.
Në komunikatë për media, thuhet se kryeministri Kurti me ambasadorin jorezident të Irlandës, Gargan, kanë diskutuar për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor ndërmjet të dyja shteteve. Ndërsa pjesë e diskutimit ishte edhe liberalizimi i vizave për Kosovën, dhe për këtë pikë Kurti tha se Republika e Irlandës mund të jetë zë i rëndësishëm në BE për avokimin në përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës.
Analisti politik, Fitim Salihu për Demokracia.com ka komentuar pikërisht këtë pikë, duke thënë se kjo tregon se Kurtit i mungojnë njohurit elementare se si funksionon Bashkimi Europian, dhe se bisedimet me Ambasadorin e Irlandës duhet të fokusohen në tema me bazë më realiste.
Salihu tha ky është lëshim edhe i ekpit që e rrethon Kryeministrin Kurti.
Irlanda nuk është në Zonën Schengen dhe nuk mund të ndihmojë shumë për liberalizim të vizave
Sekretari i shtetit të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger ka vizituar të enjten Kosovën, ku u takua me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani. Pas vizitës në Kosovë, Berger dha një intervistë për gazetën serbe, Blic, në të cilën bëri të ditur një kërkesë të ndaj ndaj Qeverisë së Kosovës.
Miguel Berger, Sekretari i shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane, në një intervistë për gazetën serbe “Blic”, ka bërë të ditur një kërkesë të qartë për Qeverinë e Kosovës, përkatësisht kryeministrin Albin Kurti, shkruan Demokracia.com
I pyetur se a beson se është e mundur që presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri kosovar Albin Kurti do të arrijnë një marrëveshje në një të ardhme të afërt, si në vitin 2021 ose 2022, Berget thotë se është e rëndësishme që të dy palët të bëjnë gjithçka për të gjetur zgjidhje të mirë dhe të qëndrueshme.
Gjermania me kërkesa të rënda për Kurtin: Përmbushi të gjitha marrëveshjet e deritanishme
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të premtën ishte për vizitë zyrtare në Shkup të Maqedonisë së Veriut, prej ku ka thënë se Kosova është e gatshme të ndërmarrë masat e nevojshme për realizimin e një pike të përbashkët kufitare në mes të dy shteteve. Një gjë të tillë e synon edhe Maqedonia e Veriut, ka thënë kështu homologu i saj në Shkup, Bujar Osmani.
Në një konferencë për media, Gërvalla dhe Osmani kanë thënë se në takimin e përbashkët kanë biseduar edhe për mbajtjen e mbledhjes së dy qeverive.
E ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka thënë se partneritetin politik e ekonomik me Kosovën, po tentojnë ta kthejnë në projekte konkrete të cilat do të përmirësonin jetën e qytetarëve në të dy shteteve.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut synojnë krijimin e një pike të përbashkët kufitare
Pas mbajtjes së takimit mes tre liderëve të Ballkanit, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Shkup në kuadër të Forumit Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal. Të premten për Demokracia.com, kanë folur njohësit e çështjeve ekonomike dhe politike, për “Open Balkan”
Nga ky takim u ndryshua edhe emri i iniciativës nga ‘Mini-Shengen’ në ‘Open Balkan’. Ky takimi, siç u tha, u hapi rrugën edhe shumë bashkëpunimeve të thella ekomomike mes tre vendeve anëtare.
Kosova është ndër shtetet që nuk pranoi të jetë pjesë e kësaj iniciative dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti refuzoi të merrte pjesë në takimin e Shkupit duke e quajtur si iniciativë pa vizion për rajonin.
Zyra për media e Qeverisë së Kosovës tha se “qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘Mini-Shengen’, tashmë janë të njohura” dhe se propozim i Kosovës ishte avancimi i bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA sipas modelit të EFTA-EEA që sipas tyre kjo do të ishte përfituese për të gjitha vendet e BP-së.
‘Open Balkan’, analistët: Kosova nuk duhet të jetë shtet refuzues, por argumentues
Deputeti i Listës “Guxo”, Haxhi Avdyli, pritet të emërohet Ministër i Shëndetësisë. Ndërsa, ministri aktual i këtij dikasteri qeveritar, Arben Vitia, mësohet se së shpejti do ta zyrtarizojë kandidaturën e tij për Kryetar të Prishtinës.
Kjo është bërë e ditur, të premten për Demokracia.com nga burime të mirëinformuara brenda Qeverisë së Kosovës.
“Haxhi Avdyli do të emërohet Ministër i Shëndetësisë, ndërsa Arben Vitia do të jetë kandidat për Kryetar të Prishtinës. Kandidatura do të zyrtarizohet shumë shpejtë”, ka thënë ky burim për Demokracia.com.
Ndërkohë, vlen të përmendet se Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidaturë për kryetarë të komunave.
Të shtunën Demokracia.com ka raportuar se kryediplomatja kosovare, njëherit liderja e Listës “Guxo”, Donika Gërvalla – Schwarz, pritet të largohet nga kjo pozitë në Qeverinë Kurti II.
Pakënaqësitë ndaj saj si kryediplomate mësohet se janë tepër të mëdha dhe ka muaj që është negociuar me të dhe me Listën “Guxo” për largimin e saj nga Ministria e Jashtme.
Demokracia.com nga burime të afërta me Qeverinë Kurti II ka mësuar se largimi i kryediplomates Gërvalla-Schwarz nga MPJ do të ndodhë pas fillimit të lëvizjeve brenda Qeverisë dhe shpalljes së disa kandidaturave për kryetarë komunash nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Donika Gërvalla do të japë dorëheqje nga pozita e saj si Ministre e Jashtme dhe do të mbetet vetëm zëvendëskryeministre. Në vend të saj do të emërohet zëvendësministri aktual i MPJ-së, Kreshnik Ahmeti”, ka thënë ky burim për Demokracia.com.
Ekskluzive: Pritet dorëheqja e Donika Gërvallës, MPJ do i besohet Kreshnik Ahmetit të Vetëvendosjes
Shumë shtete të Evropës po përballen me zjarre të frikshme ditët e fundit me rritjen e temperaturave. Zjarrfikësit në Itali po luftojnë për të dytën ditë radhazi me zjarret e egra në Sicili që arritën në qytetin e Catania-s, duke i detyruar njerëzit të largohen nga shtëpitë e tyre dhe që aeroporti lokal të mbyllet përkohësisht.
Sipas Reuters, zjarrfikësit thanë në Twitter se ata kishin kryer 250 operacione në Sicili në 24 orët e fundit, nga të cilat 50 ishin vetëm në Catania. Qyteti i famshëm për arkitekturën e tij barok ndodhet në shpatet e malit Etna në bregun lindor të ishullit.
Zjarret goditën zonën e Catania-s përballë detit, duke shkatërruar vendpushimin e plazhit La Capannina, ku imazhet e publikuara në media sociale treguan karrige plazhi dhe çadra të djegura. Zjarret gjithashtu kanë shpërthyer edhe në provincën Palermo pas rritjes së temperaturave. Në fillim të kësaj jave, zjarret janë vërshuar në pjesë të ndryshme të Evropës Jugore, përfshirë në Spanjë dhe në rajonet jugore të Turqisë, derisa shkatërruan edhe ishullin italian të Sardenjës. Për të zbutur flakët në Sardenjë, Italia u detyrua të kërkojë ndihmë nga Bashkimi Evropian, i cili dërgoi katër avionë zjarrfikës pyjorë, pasi mbi 350 njerëz u evakuuan.
Në anën tjetër, edhe Turqia po përballet me situata të rënda për shkak të zjarreve, nga ku kanë humbur jetën gjashtë persona.
50 hektarë janë përfshirë nga zjarri që nga dita e djeshme të një pjese të parkut nacional “Bjeshkët e Nemuna”. Ende nuk dihet se cili ka qenë shkaktari i përhapjes së madhe të zjarrit në fshatin Shtupeq i Madh në Rugovë, mirëpo kjo zonë sot është lokalizuar. Përveç njësiteve të FSK-së, zjarrfikësve, pjesëtarëve të parkut dhe Policisë së Kosovës, gjatë ditës së djeshme është kërkuar edhe ndihma e KFOR-it.
Një pjesë e hapësirës në varrezat e fshatit Broliq të Pejës gjatë ditës së shtunë është përfshirë nga zjarri.
Kjo zonë e cila është diku rreth pesë hektarë ishte përfshirë nga zjarri. Qytetarët kanë thënë se në vendin e ngjarjes ishin edhe zjarrfikësit dhe se kishin arritur ta menaxhojnë situatën.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka thënë, të shtunën se kanë realizuar me sukses operacionin për lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve në zonën pyjore të Shtupeqit të Madh në rajonin e Rugovës.
Mehaj përmes një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se qytetarët nuk kanë nevojë të shqetësohen, dhe në rast të ndonjë rishfaqje të zjarrit ata do të intervenojnë menjëherë.
Mehaj: Janë shuar zjarret në malet e Rugovës, qytetarët të mos shqetësohen