“Çfarë mjerimi, ni popull i tanë u gëzu për ni vizitë. Madje edhe opozita”.
Kështu aktivisti i shoqërisë civile i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, Rron Gjinovci e ka përshkruar vizitën e dy krerëve të shtetit, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të martën në mbrëmje, sipas kohës sonë lokale, dy krerët e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, u pritën në Departamentin e Shtetit nga Sekretari Antony Blinken.
Sipas njoftimit të DASH-it për takimin, Blinkeni aty ka theksuar partneritetin e fuqishëm SHBA-Kosovë dhe i ka falënderuar liderët e Kosovës për përkrahjen e fortë për Ukrainën dhe pritjen e refugjatëve afganë.
“Ata diskutuan për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, në rrugën përpara drejt integrimit euro-atlantik”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.