Intervista
Gjini: Kosova këtë vit do të shkojë në zgjedhje të parakohshme
Demokracia
14:03 | 07 Janar 2024

Share:

Vonesa të pa justifikueshme, ngecje në marrjen e vendimeve e ndarje buxhetore jo e drejtë konsiderohet që po e karakterizojnë bashkëpunimin e nivelit qendror me atë lokal të Komunës së Gjakovës.

Kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini në një intervistë për KosovaPress e vlerëson jo të mirë bashkëpunimin me nivelin qendror, për çka shpreson se këtë vit qeveria do të merr më me seriozitet punët e ndërlidhura me komunën.

Ndërkaq, si nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) beson që gjatë këtij viti Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, për çka pret edhe rezultate më të mira për AAK-në.

“Unë po besoj që, nëse i kemi parasysh të gjitha rrethanat që janë krijuar në Kosovë, duke i futur në kalkulim edhe bindjet politike të njerëzve dhe idetë që i shohim, gjasat janë që në vitin 2024 do të kemi zgjedhje të parakohshme…Pres rezultatet më të mira për Aleancën, patjetër, më të mirat të mundshme”, thotë Gjini.

Përveç tjerash, gjatë intervistës Gjini potencon se Komuna e Gjakovës ka shpenzuar afro 90 për qind të buxhetit të paraparë për vitin 2023, derisa thotë se “një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më herët”.

Ai përmend disa nga projektet më të komplekse të realizuara apo të nisura gjatë vitit 2023, për çka zotohet se edhe ky vit do të karakterizohet me investime kapitale për projekte të ndryshme.

Për KosovaPress, Gjini thekson se vonesat e pa nevojshme, ngecja në komunikim dhe marrje të vendimeve nga niveli qendror po u shkakton shumë vështirësi.

Ndërkaq, Gjini vlerëson se viti 2023 se ka qenë ndër vitet më intensive ndonjëherë në Komunën e Gjakovës, meqë sipas tij buxheti përfundimtar i investimeve kapitale arrin shifrën mbi 17 milionë euro.

Ndër projektet më të mëdha dhe sfiduese, i pari i Gjakovës, Ardian Gjini potencon punimet në daljen për Pejë, vazhdimin e shtratit të lumit Krena në pjesën e epërme të rrjedhës, punimet në stadiumin e qytetit, transformimin e qendrës së qytetit e të tjera.

Ndër të tjera, Gjini thekson se edhe gjatë këtij viti, do të vazhdojnë investimet në projekte të ndryshme, duke përfshirë përfundimet e punimeve në daljen për Pejë, Rekë të Keqe, përfundimi i qendrës, i fazës së dytë të lumit Llukas e fazës së katërt në lumin Krena e disa projekte të tjera.

Gjini konsideron se “edhe viti 2024 do të jetë i mirë”, sa i përket investimeve në këtë komunë.

Përveç këtyre, Komuna e Gjakovës ka vendosur që qytetarët mos të gëzojnë të drejtën e faljes së 100 eurove për tatimin në pronë, meqë është konsideruar se humbjet do të arrijnë deri në 2.4 milionë euro.

Të ngjashme