Sport
Gjilani vazhdon përgatitjet në Durrës, jep lajmin e madh për dy sulmuesit e njohur
Demokracia
13:33 | 23 Janar 2021

Share:

Për dallim nga skuadrat e kreut të tabelës që kanë zgjedhur Antalian për përgatitje për stinorin pranveror, Gjilani ka vendosur që përgatitjet t’i zhvillojë në Durrës, shkruan Demokracia.com.

Gjilanasit që në qytetin bregdetar kanë zhvilluar disa ndeshje kontrolluese, sot kanë dhënë edhe një lajm të mirë. Dy sulmuesit kryesorë të saj Tomislav Bushiq dhe Keita Razak, kanë lënë anash lëndimet dhe i janë bashkuar pjesës tjetër të skuadrës.

“Vlen të theksohet se dy sulmuesit tanë, Tomislav Bushiq dhe Keita Razak, po i lënë prapa lëndimet e tyre që i kanë mbajtur disa muaj larg fushave të blerta. Kroati tashmë ka bërë edhe disa paraqitje në ndeshje testuese.

Skuadra do t’i vijojë përgatitjet në Shqipëri deri me datën 28 janar, ndërsa nesër do të zhvillojë edhe një ndeshje tjetër testuese e për kundërshtar do ta ketë 2 Korrikun.

Ndeshja Gjilani -2 Korriku do të luhet në qendrën sportive “Olympic Park” në Durrës, me fillim në ora 18:00”, thuhet në njoftimin e SC Gjilanit.

Të kujtojmë se Gjilani në pranverë, përveç pjesës së epërme të tabelës, objektiv kryesor ka edhe Kupën e Kosovës, përmes të cilës kërkon edhe daljen në garat ndërkombëtare. /Demokracia.com

Të ngjashme