Sport
Gjiganti i Dritës “kërcënon” rivalët, flet edhe për përballjen me Prishtinën
Demokracia
11:28 | 04 Shkurt 2021

Share:

Drita i ka dhënë fund dje përgatitjeve në Antalia të Turqisë atje ku qëndroi plot 15 ditë, shkruan Demokracia.com.

Kampionët e Kosovës kthehen me plot energji, derisa thonë se janë gati për një pranverë të nxehtë, aty ku synojnë ta mbrojnë titullin e kampionit të fituar edicionin kaluar, por edhe të luftojnë për Kupën e Kosovës.

Rezultatet në ndeshjet testuese në Antalia nuk ishin edhe aq të mira, pasi në 5 ndeshjet e zhvilluara e fituan vetëm një, përfshirë këtu edhe humbjen në Superkupë. Kjo sikur e ka trazuar kampin Gjilanas.

Megjithatë, me këtë nuk pajtohet sulmuesi i Dritës, Kastriot Rexha, i cili menjëherë pas kthimit nga Antalia, në një bisedë për Demokracia.com, ka komentuar punën që kanë bërë në Turqi, derisa ka vlerësuar se ekipi është përgatitur shumë mirë dhe është gati për sfidat që i presin.

“E kemi përfunduar fazën përgatitore në Antalia dhe e mira është se nuk kemi pasur asnjë futbollist të lënduar. Atje kemi provuar shumë mënyra të lojës të cilat mendojmë se do na hyjnë në punë gjatë kampionatit”, ka thënë Rexha, i cili ka komentuar edhe rezultatet jo të mira në ndeshjet kontrolluese.

“Rezultatet kanë qenë në plan të dytë,  mirëpo kjo nuk do të thotë që nuk kemi luajtur për t’i fituar”, vlerësoi golashënuesi më i mirë i gjilanasëve.

Drita të martën që vjen e ka një test shumë të vështirë ku do të ndeshet me Prishtinën në 1/8 e finales së Kupës. Përballja luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, dhe bazuar në sfidën e Superkupës bën të kuptojmë se Drita do ta ketë tejet të vështirë.

Gjithsesi, Rexha beson se skuadra e tij do t’ia dalë të kualifikohet tutje.

“Prishtina ka skuadër cilësore dhe këtë e dëshmoi edhe në ndeshjen që e zhvilluam për Superkupë. Unë  kam besim që ne do t’ia dalim ta kalojmë dhe të fitojmë ndaj saj, edhe pse po e përsërisë se do të jetë ndeshje e vështirë”, ka përfunduar Kastriot Rexha. /Demokracia.com

Të ngjashme