Paulo Dybala ka lënë gjurmë në fitoren e Juventusit kundër Napolit në “Allianz Stadium” në Torino.
“Zonja e Vjetër” triumfoi 2:1 ndaj napolitaneve në takimin e mbetur të javës së tretë në elitën e futbollit italian, shkruan Demokracia.com.
Ronaldo realizoi i pari në minutën e 13-të, derisa për golin e dytë u përkujdes ylli argjentinas, Paulo Dybala që realizoi vetëm katër minuta pasi u inkuadrua në minutën e 73-të.
Në fakt, goli i Dybalas erdhi pas një “agjërimi” prej 87 ditëve. Dybala u shpreh i lumtur, teksa tha se ai dhe skuadra e tij duhet të vazhdojnë në këtë mënyrë.
“Jam shumë i lumtur. Nuk di si ta shpjegoj këtë ndjenjë. Ishte një fitore madhështore dhe tani të vazhdojmë kështu. Të gjithë së bashku deri në fund”, tha Dybala.
27-vjeçari me këtë gol që u solli pikët e plota “Biankonerëve” u ka bërë me dije drejtuesve të klubit që të nxitojnë dhe të rinovojnë kontratën me të.
Kontrata e Paulo Dybalas me Juventusin skadon në qershor të vitit 2022. /Demokracia.com