Lajme
Gjermania ul pritshmëritë për rritjen e ekonomisë për vitin 2022, paralajmërim për energjinë
Demokracia
20:24 | 30 Mars 2022

Share:

Pritshmëritë për një zgjerim të ekonomisë prej 4.6 për qind këtë vit janë ulur në 1.8% pas pushtimit rus të Ukrainës.

Ekziston frika se konflikti do të godasë rëndë ekonominë e Gjermanisë, pasi ajo përpiqet të kufizojë varësinë nga gazi rus.

Gjermania uli të mërkurën parashikimin e saj të rritjes për vitin 2022 në kushtet e pushtimit të Ukrainës dhe shqetësimeve në rritje për furnizimet dhe çmimet e energjisë.

Paneli i këshilltarëve të pavarur ekonomikë të qeverisë federale ka parashikuar se prodhimi i brendshëm bruto (PBB) i Gjermanisë do të rritet me vetëm 1.8% këtë vit.

Ekonomia më e madhe e Europës kishte shpresuar të fillonte rimëkëmbjen e saj pas dy vitesh në pandemi. Në nëntor, paneli këshillimor parashikoi një rritje të prej 4.6% për vitin 2022, por ekonomia tashmë është ndikuar nga lufta që Rusia i shpalli fqinjit të saj.

Vitin e kaluar, PBB-ja e Gjermanisë u rrit me 2.8%, por në tremujorin e fundit të 2021 u tkurr me 0.7%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe çmimet e energjisë po përkeqësojnë në mënyrë drastike perspektivën ekonomike,” tha paneli në raportin e tyre.

Gjermania jep paralajmërim për energjinë

Pak përpara se ekonomistët të publikonin parashikimin e tyre, Gjermania lëshoi një paralajmërim në lidhje me gazin natyror mes shqetësimeve se Rusia mund të ndërpresë furnizimet nëse nuk paguhet në rubla.

Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck u bëri thirrje bizneseve dhe individëve që të përpiqen të reduktojnë konsumin e tyre të energjisë sa më shumë që të jetë e mundur, ndërsa vendi përpiqet të kufizojë varësinë e tij nga gazi rus./ DW

Të ngjashme