OpEd
Gjermania të rreshtohet qartë me Perëndimin| “Ne s’mund të jemi skllevër të Putinit”
Demokracia
12:17 | 22 Prill 2022

Share:

Nga Anders Östlund “Center for European Policy Analysis”

Për ukrainasit, dhe për pjesën tjetër të botës, është bërë gjithnjë e më e qartë se sulmi i Rusisë nuk është thjesht ai i një “operacioni special” për rrëzimin e një qeverie në Kiev por një luftë që synon të eliminojë kombin ukrainas dhe ta fshijë atë nga harta.

Vendosmëria e ukrainasve për të luftuar dhe mbrojtur vendin e tyre është rritur. Përshumë njerëz, jeta si skllav i Rusisë perandorake të Putinit nuk do t’ia vlente të jetohej. Ndërgjegjësimi se kjo luftë është një çështje parimore shumë serioze, e ka zgjuar gjithashtu edhe Perëndimin nga gjumi ku kishte rënë që pas Luftës së Ftohtë.

Ky zgjim ka sjellë vendosjen e sanksioneve shumë të ashpra kundër Rusisë, dhe dërgimin e sasive të mëdha të armëve në Ukrainë. Për shembull javën e kaluar, SHBA premtoi 50 milionë fishekë si pjesë e një pakete ndihme ushtarake që deri më tani ka kapur shifrën e rreth 3 miliardë dollarëve.

Por masat më të ashpra kundër Rusisë nuk janë marrë ende. Që nga fillimi i sulmit të Rusisë kundër Ukrainës, vendet e Bashkimit Evropian kanë depozituar më shumë se 35 miliardë euro (37.8 miliardë dollarë) në arkën e Putinit, për shkak të importit të naftës dhe gazit rus.

Lufta është një biznes shumë i kushtueshëm, sidomos kur menaxhohet nga ushtarakë të paaftë, dhe kjo Rusisë i ka kushtuar shumë deri më tani. Nga ana tjetër, çmimi i paguar për eksportet e hidrokarbureve ruse është rritur ndjeshëm, dhe kjo e nxit akoma më shumë makinerinë ruse të shtypjes, agresionit, dhe së fundmi edhe atë të gjenocidit ndaj ukrainasve.

Arsyeja e këtij hezitimi është se një anëtare e BE-së, Gjermania, po kundërshton një embargo mbi importet e naftës dhe gazit rus, me argumentin se kjo do ta dëmtonte më shumë ekonominë gjermane sesa ekonominë ruse. Ndikimi i këtyre pagesave të vazhdueshme në luftën që po zhvillohet në Ukrainë, nuk duket se po ndikon në qëndrimin e Berlinit.

Është e vërtetë që edhe Hungaria është kundër sanksioneve të mëtejshme mbi energjinë ruse (importet e qymyrit rus do të pezullohen nga mesi i gushtit), dhe se të paktën tani për tani po diskutohet një ndalim i importit të naftës dhe gazit rus.

Në fillim, Gjermania tha se çdo veprim në këtë aspekt ishte i pamundur. Pse? Duke marrë parasysh historinë e Gjermanisë dhe premtimin e saj “Kurrë më” për të mbështetur luftërat ekspansioniste apo krimet kundër njerëzimit, kundërshtimet e saj aktuale për t’u përballur me Rusinë janë veçanërisht të çuditshme.

A mos vallë është më e rëndësishme mundësia e tkurrjes ekonomike gjermane sesa gjaku i mijëra ukrainasve, kanë pyetur shumë njerëz ditët e fundit? Laureati i Çmimit Nobel në Ekonomist, kolumnist i “New York Times”, Pol Krugman, ka shkuar aq larg sa kadeklaruar se “ndoshta, vetëdija se refuzimi për të ndalur blerjen e gazit rus, e bën Gjermaninë de facto bashkëpunëtore në vrasjet masive, mund të mjaftojë më në fund për të nxitur një veprim real nga ana e Berlinit”.

E parë nga këndvështrimi i një suedezi që jeton në Ukrainë, duket e pabesueshme që Gjermania demokratike mund të ketë qasje nga të cilat përfiton Rusia. Po çfarë mund të bëjë Gjermania për të ndryshuar pozicionin e saj?

Unë shoh disa arsye që fshihen pas ngurrimit të Gjermanisë për të vepruar në ndihmë të përfundimit sa më shpejt të luftës në Ukrainë. Së pari, pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania ishte nën një “ombrellë sigurie” të SHBA-së, e cila lejoi degradimin e aparatit të saj të sigurisë kombëtare, ndërsa politika e saj e jashtme dominohej nga interesat e biznesit.

Kjo qasje vazhdon ende dhe dominon mbi politikat strategjike dhe humanitare. Fakti që Gjermania u fut nën tutelën ushtarakë të SHBA-të pas Luftës së Dytë Botërore, mund të ketë krijuar gjithashtu mentalitetin se çdo sakrificë ekonomike kuptohet si humbje për Gjermaninë, edhe nëse ato mund të sjellin përfitime në një periudhë afatgjatë.

Pas sulmit rus në Gjermani në fundin e Luftës së Dytë Botërore, dhe pushtimit të egër që pasoi, një frikë thuajse irracionale e konfrontimit me Rusinë ka zënë rrënjë në Gjermani, shpesh e justifikuar duke iu referuar krimeve naziste kundër popullit rus.

Së dyti, Gjermania ka një problem me korrupsionin. Pranimi nga ish-kancelari Gerhard Shrëder i marrëveshjeve fitimprurëse me firmat shtetërore ruse të energjisë, dhe një marrëdhënie personale me Putinin, duhet të mjaftojë për ta bërë atë një “tradhtar”brenda vendit të tj.

Por kjo nuk ka mjaftuar. Udhëheqësit gjermanë fokusohen vazhdimisht tek diplomacia, dhe konsideratat ekonomike zhvillohen në një klimë politike që bie ndesh me vullnetit për të marrë vendime të vështira që kushtojnë para, punë, ndoshta edhe jetë njerëzore, transmeton CNA.

Unë druhem se pas ngurrimit të Gjermanisë për t’u përballur me Rusinë, mund të ketë edhe një cinizëm më të madh. Sipas ambasadorit të Ukrainës në Berlin, zyrtarët gjermanë thjesht nuk besonin se Ukraina do të ishte në gjendje t’i rezistonte ushtrive të mëdha me shumë tanke të Putinit.

Dhe ata që mendonin se lufta do të ishte e shkurtër, dhe do të përfundonte me fitoren e Rusisë, mund të kenë arsyetuar edhe se lufta do të pasohet nga paqja, dhe paqja nga kontratat e biznesit. Kjo do të ishte shumë e lehtë pa plagët që do të krijonte një embargo ndaj naftës dhe gazit rus.

Një marrëdhënie e ftohur mund të ri-nxehet, por një marrëdhënie e ndërprerë është e vështirë të rikrijohet. Le të shpresojmë që të mos jetë kështu, që tmerret e Mariupolit dhe Buçës do t’i kujtojnë klasës politike gjermane se për politikanin e përgjegjshëm, prosperiteti është vetëm një nga prioritetet.

Prioriteti kryesor për çdo qeveri është siguria e popullit të tij. Interesat strategjike dhe të drejtat e njeriut mund të jenë vërtet të kushtueshme. Por ato janë gjithashtu gurë themeli për shtetet demokratike. Pa to, gjithçka tjetër shkërmoqet.

Të ngjashme
OpEd • 28 Qershor 2024
OpEd • 27 Qershor 2024
OpEd • 25 Qershor 2024