Lajme
Gjermania ndryshon qëndrim për embargon e menjëhershme të BE-së për naftën rusen
Demokracia
21:41 | 03 Maj 2022

Share:

Gjermania tha të hënën se ishte e përgatitur të mbështeste një embargo të menjëhershme të Bashkimit Evropian ndaj naftës ruse, një ndryshim ky nga pozicioni i mëparshëm i konsumatorit më të madh të energjisë që vjen nga Moska.

Kjo gjë mund t’i hapë rrugën Evropës për vendosjen e një embargoje të tillë brenda pak ditësh.

Eksportet e energjisë ruse, që përbëjnë burimin më të madh të të ardhurave të Rusisë, deri më tani janë përjashtuar nga sanksionet ndërkombëtare për luftën në Ukrainë. Kievi thotë se kjo gjë nënkupton që vendet evropiane po financojnë përpjekjet e luftës së Kremlinit, duke i dërguar Moskës qindra milionë euro çdo ditë.

Kancelari Olaf Scholz, i cili ka qenë më i kujdesshëm se udhëheqësit e tjerë perëndimorë për sa i përket mbështetjes së Ukrainës, ka qenë nën një presion të shtuar për të ndjekur një linjë më të fortë, edhe nga vetë brenda koalicionit qeverisës të socialdemokratëve.

“Gjermania nuk është kundër një embargoje të naftës ndaj Rusisë. Sigurisht që kjo do të ishte një ngarkesë e rëndë për t’u përballuar, por ne jemi gati ta bëjmë këtë,” tha për gazetarët Ministri i Ekonomisë Robert Habeck, nga të Gjelbrit, përpara bisedimeve me kolegët e tij të BE-së në Bruksel.

“Për qymyrin dhe naftën, është e mundur të heqim dorë nga importet ruse tashmë,” tha për gazetën Die Welt Ministri i Financave Christian Lindner nga partia liberale FDP, e cila është pro-biznesit. “Nuk mund të përjashtohet fakti që çmimet e karburanteve mund të rriten.”

Gjermania kishte reduktuar pjesën e naftës ruse nga totali i importeve të saj në 12% nga 35% përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën më 24 shkurt, por kishte deklaruar më parë se i duheshin disa muaj kohë për të eliminuar gradualisht naftën ruse, në mënyrë që të pakësonte ndikimin ekonomik në vend.

Pjesët lindore të Gjermanisë në veçanti mbështeten shumë te karburanti nga një rafineri në pronësi të kompanisë shtetërore ruse të naftës Rosneft, e cila furnizohet nga tubacioni “Miqësia” i epokës sovjetike që shtrihet me mijëra milje, deri në fushat e naftës në Siberi.

Largimi i Evropës nga nafta ruse do të ishte më i lehtë sesa reduktimi i varësisë nga gazi natyror i Rusisë. Moska ka kërkuar që klientët evropianë duhet të paguajnë për gazin në rubla, gjë që BE-ja e refuzon. Javën e kaluar, Moska ndërpreu furnizimet për Poloninë dhe Bullgarinë. Në takimin e ministrave të BE-së të hënën u diskutua për një përgjigje të përbashkët.

Civilët e parë që u evakuuan nga një fabrikë gjigante çeliku në Mariupol pritej të mbërrinin të hënën në qytetin e Zaporizhzhia të Ukrainës, pas një udhëtimi gjatë natës me autobus përgjatë vijës së frontit.

Ukraina thotë se qindra civilë janë bllokuar brenda uzinës Azovstal së bashku me mbrojtësit e fundit ukrainas të qytetit. Dhjetëra prej tyre ishin në gjendje të largoheshin të dielën në një evakuim të organizuar nga Kombet e Bashkuara, duke u bërë të parët që shpëtuan që kur Presidenti Vladimir Putin urdhëroi barrikadimin e uzinës javën e kaluar.

Kapiteni Sviatoslav Palamar, 39-vjeç, zëvendës komandant i Regjimentit Azov të Ukrainës, tha për Reuters nga brenda uzinës se luftëtarët mund të dëgjonin zërat e grave, të fëmijëve dhe të të moshuarve të bllokuar nën tokë dhe nuk kishin pajisjet e nevojshme për t’i shpëtuar ata duke gërmuar.

“Ne po planifikonim që të krijonim një të ҫarë në bunker për t’u futur brenda, pasi hyrja e tij është bllokuar, por gjatë gjithë natës të së hënës, artileria detare dhe ajo nga toka po na qëllonin. Gjithë ditën sot aviacioni ka punuar, duke hedhur bomba”, tha Palamar.

Përpjekjet për të organizuar evakuimin e civilëve nga pjesë të tjera të qytetit, që tani janë pushtuar nga rusët, u vonuan. Ukraina thotë se 100,000 njerëz ende jetojnë në qytetin e rrënuar, në kushte të dëshpëruara, pas disa muajsh të rrethimit rus.

“Shtëpia jonë është shkatërruar plotësisht. Ne kishim një ndërtesë dykatëshe, e cila nuk është më atje. Ajo u dogj deri në themel,” tha Natalya Tsyntomirska, një banore e Mariupolit e cila arriti në Zaporizhzhia të hënën me një furgon të shërbimit funeral.

Pasi u detyrua të braktiste sulmin ndaj Kievit në fund të marsit, Rusia ka nisur një ofensivë të re të madhe në Ukrainën lindore. Nga ana tjetër, Kievi shpreson se fluksi masiv i ndihmës ushtarake nga Perëndimi do t’i japë mundësinë që të zmbrapsë këtë sulm dhe më pas të vazhdojë me një kundërsulm.

Ofensiva ruse është përqendruar në provincat lindore Donetsk dhe Luhansk, pjesë të të cilave ishin nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia që përpara se të fillonte pushtimi. Trupat ruse tani po përpiqen të rrethojnë një forcë të madhe ukrainase atje, duke sulmuar nga tre drejtime me bombardime masive përgjatë frontit.

Ushtria e Ukrainës tha të hënën se forcat ruse po përpiqeshin të merrnin nën kontroll qytetin Rubizhne të provincës Luhansk dhe të përgatisnin një sulm në Sievierodonetsk që ndodhet aty pranë.

Luftimet më të mëdha po zhvilloheshin rreth Popasnës, në jug të vendit. Bombardimet ishin aq intensive sa ishte e pamundur që të mblidheshin trupat e pajetë, tha guvernatori rajonal Serhiy Gaidai.

“As nuk dua të flas për atë që po ndodh me njerëzit që jetojnë në Popasna, Rubizhne dhe Novotoshkivske tani. Këto qytete thjesht nuk ekzistojnë më. Ata i kanë shkatërruar plotësisht.”

Rusia ka goditur gjithashtu edhe objektiva larg vijës së frontit me raketa. Guvernatori i Odesas në jugperëndim tha se qyteti u godit nga një raketë që shkaktoi shumë të vdekur dhe të plagosur në mbrëmjen e së hënës.

Në Rusi ndodhën dy shpërthime të hënën në Belgorod, një rajon jugor në kufi me Ukrainën, tha guvernatori Vyacheslav Gladkov. Shkaku i shpërthimeve nuk ishte i qartë, por Kremlini ka akuzuar Ukrainën për sulme ndërkufitare. Gladkov tha se nuk kishte pasur viktima nga këto shpërthime.

Ukraina nuk i është përgjigjur akuzave se qëndron pas sulmeve në Rusi, por i ka përshkruar incidentet atje si “karma”. Kievi gjithashtu publikoi disa pamjet të hënën, të cilat, sipas tij, tregonin dronët ukrainas duke shkatërruar dy anije ruse në Detin e Zi.

Izraeli thërriti ambasadorin rus për të kërkuar falje për komentet e Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov, i cili, i pyetur në një intervistë për arsyen pse Ukraina duhej “denazifikuar” kur presidenti Volodymyr Zelenskiy është vetë një hebre, tha se “Hitleri gjithashtu kishte origjinë hebreje” dhe “antisemitët më të mëdhenj janë vetë hebrenjtë”.

Ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid i quajti këto komente si “niveli më i ulët i racizmit”.

Të ngjashme