Sekretari i shtetit të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger ka vizituar dje Kosovën, ku u takua me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani. Pas vizitës në Kosovë, Berger dha një intervistë për gazetën serbe, Blic, në të cilën bëri të ditur një kërkesë të ndaj ndaj Qeverisë së Kosovës.
Miguel Berger, Sekretari i shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane, në një intervistë për gazetën serbe “Blic”, ka bërë të ditur një kërkesë të qartë për Qeverinë e Kosovës, përkatësisht kryeministrin Albin Kurti, shkruan Demokracia.com
I pyetur se a beson se është e mundur që presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri kosovar Albin Kurti do të arrijnë një marrëveshje në një të ardhme të afërt, si në vitin 2021 ose 2022, Berget thotë se është e rëndësishme që të dy palët të bëjnë gjithçka për të gjetur zgjidhje të mirë dhe të qëndrueshme.
“Është e rëndësishme që të dy palët të bëjnë gjithçka për të gjetur një zgjidhje të mirë dhe të qëndrueshme. Për ne, kjo do të thotë arritja e një dakordimi për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, pavarësisht nëse kjo mund të marrë pak kohë. Sepse ajo zgjidhje, në fund të fundit, duhet të zbatohet, dhe kjo është arsyeja pse është e nevojshme të fitohet mbështetja e qytetarëve.”, thotë Berger, transmeton Demokracia.com.
Gjatë kësaj interviste, Berger thotë se Kosova duhet t’i përmbushë të gjitha marrëveshjet e dakorduara deri më tani, duke e cilësuar këtë pjesë si të padiskutueshme.
“Një marrëveshje e tillë do të hapte mundësinë për të dy vendet për të realizuar perspektivën e tyre evropiane, e cila përsëri do të kontribuonte dukshëm në stabilizimin e përgjithshëm të rajonit. Ajo që është e padiskutueshme është se gjithçka e dakorduar deri më tani duhet të përmbushet. Kjo vlen për të dyja palët. Gjermania do të bëjë gjithçka për të mbështetur dialogun dhe për të ndihmuar të dyja palët të arrijnë një zgjidhje të mirë.”, ka thënë ai.
Me datë 28 korrik, Kurti dhe Berger u takuan brenda mureve të Qeverisë së Kosovës dhe menjëherë pas këtij takimi, diskutimet midis kryeministrit Albin Kurti dhe Sekretarit të shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë u bënë të ditura vetëm përmes një komunikate për media dërguar nga Zyra për Komunikim me Publikun nga Qeveria.
“Përparimi i Dialogut – bashkëpunimi rajonal”
Sipas komunikatës së dërguar më 29 korrik për media, thuhet se rëndësia e bashkëpunimit dhe rritja e investimeve gjermane në Kosovë, ishte temë diskutimi, me theks të veçantë te mërgata e fuqishme në Gjermani.
Në komunikatë u tha se u fol vetëm për Procesin e Berlinit, si formë e bashkëpunimit rajonal, i dalë nga Samiti i Sofjes vitin e kaluar, mirëpo nuk u përmend se Berger kishte thënë në fakt se edhe dialogu duhet të ketë përparim edhe në bashkëpunim rajonal.
“Ai tha se Gjermania do të mbështesë Procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët, si formë e bashkëpunimit rajonal, dalë nga Samiti i Sofjes, vitin e kaluar. U diskutua edhe për takimet e fundit në Bruksel dhe për ecurinë e mëtejshme dhe rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”, thuhet në komunikatën e dërguar nga qeveria.
Mirëpo, vetë Miguel Berger, përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter, ka bërë të qartë se çka u bisedua në takim me Kurtin, duke e bërë të ditur me një fjali të qartë se “Duhet përparim në dialogun Kosovë-Serbi dhe bashkëpunim rajonal!”, shkruan Demokracia.com
“Dita e parë shumë e mirë në Kosovë. Faleminderit Presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti për diskutimin konstruktiv. Pajtohem plotësisht për rrugën evropiane të flamurit të Kosovës dhe rëndësinë e sundimit të ligjit. Duhet përparim në dialogun Kosovë-Serbi dhe bashkëpunim rajonal!”, ka shkruar ai.
Për një takim të kësaj rëndësie, kryeministri Albin Kurti nuk bëri asnjë shkrim në rrjetin social Facebook, por qëndrimet u paraqitën vetëm përmes një komunikatë për media./Demokracia.com/