OpEd
Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë për të ndaluar mizoritë e Putinit
Demokracia
12:46 | 30 Prill 2022

Share:

Nga Constanze Stelzenmüller “Financial Times”

Një luftë e pamëshirshme po zhvillohet në zemër të Evropës ndaj partisë Social Demokrate në pushtet në Gjermani. Kështu mund të shprehet një vëzhgues i rastësishëm i politikës gjermane. Rolf Mytzenih, kreu i fraksionit parlamentar të SPD-së, i ka cilësuar si “të papërgjegjshme” kërkesat e partnerëve të tij në koalicionin qeveritar, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë për dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë.

Kolegu i tij Ralf Shtegner i kundërpërgjigjet nëpërmjet postimeve të tij plot nerv në Twitter dhe Facebook ndaj kritikëve të politikës së deridjeshme të partisë së tij ndaj Rusisë. Sigmar Gabriel, ish-Ministër i Jashtëm nga radhët e SPD, i cilëson si “teori konspirative të rrezikshme” akuzat në lidhje me rrjetet gjermano-ruse të lobimit.

Vetë kancelari Olaf Sholc e ka humbur qetësinë. Ai i cilësoi me përbuzje si “djem dhe vajza të papjekur” 3 deputetë gjermanë që kishin vizituar Ukrainën, dhe i kishin bërë thirrje qeverisë për më shumë mbështetje ushtarake ndaj Kievit. Në një intervistë të dhënë kohët e fundit për mediat, ai deklaroi se dërgimi i armëve të rënda do ta bënte “palë në luftë” si Gjermaninë po ashtu edhe NATO-n.

E vërteta është se qasja e tij ka shumë gjëra për t’u kritikuar. Tani nuk mjafton vetëm që SPD të dëbojë nga radhët e saj lobistin kryesor rus të gazit, ish-kancelarin Gerhard Shrëder. Po ashtu është thelbësore që gjykatat gjermane të hetojnë edhe lidhjet midis Manuela Shvesig, kryeministres së landit Meklenburg-Vorpomernnë Gjermaninë Lindore, dhe operatorit të gazsjellësit “Nord Stream 2”, në pronësi të plotë të kompanisë shtetërore ruse “Gazprom”.

Por politika vetë-shërbyese e Gjermanisë përkundrejt Rusisë dhe varësia e saj energjetike e nxitur pjesërisht nga naiviteti dhe pjesërisht nga korrupsioni, ka gjetur mbështetës të zjarrtë në të gjithë spektrin e partive politike gjermane. Kjo mbështetje e trimëroi Kremlinin dhe mundësoi edhe luftën që ka nisur Vladimir Putin në Ukrainë.

Megjithatë, nuk është e nevojshme të kërkohet dalja e Frank-Valter Shtajnmajer, presidentit aktual të vendit dhe ish-ministër i Jashtëm, apo ish-kancelares Angela Merkel përpara një komisioni hetimor parlamentar. Kur ishin në pushtetin ekzekutiv, ata dhe politikanë të tjerë gjermanë, vlerësuan se po bënin pikërisht atë që donte sektori i biznesit dhe publiku i gjerë.

Të paktën Shtajnmajer ka deklaruar publikisht se kishte gabuar me qasjen e tij të butëndaj Rusisë. Por përsa i përket luftës së Rusisë dhe mizorive të saj të pamëshirshme kundër ukrainasve, përgjegjësia bie mbi të gjithë ne. Në fakt Sholc dhe qeveria e tij e morën pushtetin me një axhendë ambicioze të transformimit të brendshëm.

Katër ditë pas pushtimit të Rusisë, kancelari e pranoi nevojën për një Zeitenwende, një pikë kthese epokale, edhe në politikën gjermane të energjisë dhe sigurisë, ndërsa premtoi ta mbështesë Ukrainën. Është e vështirë të imagjinohet që Merkel, paraardhësja e tij kristian-demokrate, do të bënte njërën apo tjetrën, transmeton CNA.

Mjerisht, asnjë nga opsionet afatshkurtra që ka në dispozicion Gjermania për ta ndihmuar Kievin, dhe për të parandaluar një fitore të Kremlinit, nuk është e mirë. Për shkak se importet e hidrokarbureve të Gjermanisë e ushqejnë makinerinë ruse të luftës, Berlini dëshiron të ndalë importin e qymyrit deri në verë dhe të naftës deri në fund të këtij viti.

Por ai ka frikë se ndërprerja e importeve të gazit tani – dhe jo në vitin 2024, siç ishte planifikuar fillimisht – mund të krijojë një recesion të madh ekonomik dhe të nxisë një krizë politike. Në këtë pikë bie dakord edhe Xhenet Jelen, Sekretarja amerikane e Thesarit. Ndërsa Rusia po shton sulmet e saj në Donbas, Ukraina po kërkon nga Perëndimi armë të kalibrit më të madh. Por Sholc i është shmangur vazhdimisht kësaj çështje, duke zhgënjyer dhe zemëruar aleatët e Gjermanisë por edhe partnerët e tij në koalicionin qeverisës.

Mungesa e pajisjeve ushtarake gjermane të përdorshme nga ukrianasit është një fakt i vërtetë, por i tillë është edhe presioni nga krahu i majtë pacifist i SPD-së. Në një kompromis tepër të vonuar, Berlini ka nisur të veprojë për t’i dhënë armatimet që Kievi po merr edhe nga aleatët e tjerë të NATO-s. Sholc nuk ndihmohet as nga stili i tij i të foluri që është hermetik. Disa nga ministrat e kabinetit të tij janë më të dobët se të tjerët. Por problemi i tij i vërtetë qëndron diku tjetër. Si një demokraci parlamentare, Gjermania ka një qeverie federale të dobët.

Stafi i kancelarisë është shumë më i vogël, nëse krahasohet me atë të demokracive të tjera të mëdha. Edhe këshilltarët kryesorë të Sholc po tregojnë dobësitë e tyre. Që të mbijetojë koalicioni i paqëndrueshëm “semafor” i Sholc, dhe të ushtrojë pushtetin në mënyrë efektive, duhet të ndryshojë sa më shpejt mënyrën se si qeveris. Ministria e Jashtme po punon për hartimin e një strategjie të sigurisë kombëtare, dokumenti i parë i këtij lloji në Gjermani.

Në parim, ajo do të ndihmojë për një artikulimin më koherent të qëllimeve strategjike të këtij vendit.

Por qeveria gjermane ka një nevojë edhe më emergjente për një staf të sigurisë kombëtare, i cili mund të këshillojë dhe ndihmojë kreun e qeverisë për të përballuar një epokë të trazuar si kjo që po përjetojmë aktualisht. Kjo ka më shumë rëndësi, pasi Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë për t’i dhënë fund mizorive që po kryen Putin në Ukrainë.

Të ngjashme
OpEd • 25 Qershor 2024
OpEd • 24 Qershor 2024
OpEd • 22 Qershor 2024