Kosova është renditur më së keqi në gjithë Ballkanin Perëndimor sa i përket lirisë së mediave, duke dalë në vendin e 99-të në Indeksin e Lirisë së Mediave të Reporterëve pa Kufij. Një gjë e tillë, ka shqetësuar opinionin publik në vend, por edhe ambasadat e shteteve partnere.
Ishte Ambasada e Gjermanisë që reagoi fillimisht në lidhje me këtë çështje, duke theksuar se Kosova renditet edhe pas Serbisë.
Kështu, ambasada pati një mesazh për Qeverinë e ardhshme të Kosovës.
“Kosova ka rënë gjithsej me 24 ende në Indeksin e fundit të Lirisë së Shtypit të RSF-së, duke e vendosur atë në fund të krahasimit rajonal – madje edhe pas Serbisë. Raporti lexohet si një libër detyrash për qeverinë e re, duke përshkruar qartë hapat e nevojshëm për të siguruar një shtyp të lirë, i cili është thelbësor për çdo demokraci të gjallë dhe elastike” – thuhej në reagim.
Qeverisë së ardhshme iu drejtua në reagim edhe Ambasada e Britanisë së Madhe.
Nga ambasada kanë thënë se janë të shqetësuar me këtë rënie, sidomos pas rezultateve mbresëlënëse që kishte më parë.
“Jemi thellësisht të shqetësuar nga rënia e Kosovës në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të RSF-së gjatë dy viteve të fundit, pas rezultateve të saj mbresëlënëse më parë. Qeveria e re e Kosovës duhet të mbrojë dhe të ruajë fuqinë e institucioneve të saj demokratike, duke përfshirë sigurimin e një mjedisi të lirë dhe të respektueshëm për gazetarët për të kryer punën e tyre jetike dhe duke punuar me mediat dhe organizatat e shoqërisë civile për hartimin e një Ligji të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave” – thuhet në reagim.
Theksojmë se raporti i Reporterëve pa Kufij ka përmendur gjuhën e rëndë që përdoret ndaj gazetarëve, duke theksuar ato nga pushteti, që i ndërlidh gazetarët me Serbinë.
“Edhe pse gazetarët janë të besuar nga shoqëria, mediat e pavarura dhe gazetarët investigativë shpesh janë objektiva të fyerjeve dhe lajmeve të rreme në mediat sociale. Ata akuzohen padrejtësisht për “bashkëpunim me armikun”, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare” – thuhet në raport.
Raporti e përshkruan Kosovën si treg medial pluralist, duke përmendur RTK-në si transmetues publik. Në mesin e problemeve theksohet cenimi i pavarësisë së RTK-së, si dhe ligjit për KPM-në i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Përmenden edhe sulmet politike.
“Edhe nëse media arrin t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë shënjestra e sulmeve politike. Komisioni i Pavarur i Medias (KPM), iu nënshtrua një reforme legjislative kontraverse që rrezikon të pengojë më tej pavarësinë e tij. Para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, disa media private u shënjestruan nga një bojkot nga qeveria, i cili kërcënoi gjithashtu pavarësinë e transmetuesit publik RTK. Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në aksesin në informacionin publik, veçanërisht në gjuhën e tyre, e cila është ajo e pakicës kushtetuese” .
Raporti flet edhe për aspektin ekonomik të mediave.
“Media financohet kryesisht nga të ardhurat nga reklamat nga sektori privat dhe ndonjëherë mbështetet edhe nga autoritetet komunale ose partitë politike. Përveç kësaj, përmes pronarëve të tyre, redaksia e mediave private është e ekspozuar ndaj ndërhyrjeve nga grupe të fuqishme politike ose biznesi. Mediat në gjuhën serbe përballen me sfidën shtesë të një tregu të vogël në të cilin disa media varen nga financimi nga Serbia fqinje, ndërsa mediat e pavarura nuk do të mbijetonin pa financim ndërkombëtar” – thuhet tutje.