Lajme
Gjermania dhe Franca të gatshme ta mbështesin Kosovën në dialogun me Serbinë, kërkojnë formim të shpejtë të qeverisë
Demokracia
10:41 | 22 Shkurt 2021

Share:

Dy shtetet kryesore të Bashkimit Europian, Gjermania dhe Franca kanë kërkuar formimin e shpejtë të Qeverisë së re, si dhe zgjedhjen e presidentit.

Kështu ka bërë të ditur, ambasadori gjerman, Jörn Rohde përmes një postimi në Twitter, shkruan Demokracia.com.

“Gjermania dhe Franca uron qytetarët e Kosovës, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Vjosa Osmanin për rezultatin e zgjedhjeve. Ne bëjmë thirrje për një formim të shpejtë të qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit, sapo të certifikohen rezultatet”, ka shkruar ambasadori Rohde në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Twitter.

Ai tutje ka theksuar se Gjermania dhe Franca shpresojnë në një agjendë të reformave, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit të organizuar. Ai po ashtu tha se së bashku me Bashkimin Europian në Kosovë do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

“Gjermania dhe Franca shpresojnë të mbështesin një agjendë ambicioze të reformave, duke përfshirë forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Së bashku me ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në menaxhimin e pandemisë COVID”, shkroi Rohde.

Po ashtu ai shkroi se Gjermania dhe Franca janë të gatshëm për mbështetje të dialogut nga BE në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gjermania dhe Franca qëndrojnë të gatshëm për të mbështetur vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian të të dy vendeve”, shkroi Rohde./Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme