Lajme
Gjermanët frustrojnë Serbinë| Bërnabiq e quan von Cramonin “eksperte për gjithçka”
Demokracia
15:54 | 12 Dhjetor 2022

Share:

Zyrtarët serbë kanë nisur njëanshëm një konflikt me zyrtarë gjermanë, në Twitter. Gjithçka nisi me një deklaratë të shefes së diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, që drejtpërdrejt akuzoi Serbinë për tensionimin e veriut të Kosovës.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, po u bën roje zyrtarëve gjermanë në Twitter, për t’ua rënditur kundërakuzat. Së fundi, ajo i ka replikuar eurodeputetes gjermane, Viola von Cramon.

Bërnabiq ka provuar të ironizojë me von Cramonin, duke e quajtur atë “eksperte për gjithçka”.

“Më në fund, deklarata e shumëpritur nga Sekretarja e Përgjithshme false e Kombeve të Bashkuara, e cila gjithashtu ka marrë rolin e Kryekomandantit të KFOR-it, Ekperte e Përgjithshme për të gjitha çështjet, që nga Litiumi deri te Euro-krenaria dhe krye-mbrojtëse e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut (përjashto serbët), ka shkruar kryeministrja serbe.

Von Cramon ka rishpërndarë sot adresimin e shefes së diplomacisë, Annalena Baerbock, ku akuzon Serbinë se po nxit tensione.

Edhe von Cramon tha se është e papranueshme deklarata për rikthimin e ushtarëve serbë në territorin e Kosovës.

“Rivendosja e paqes dhe e stabilitetit në veri të Kosovës duhet të jetë prioritet. Posaçërisht sulmet ndaj EULEX-it dhe njoftimi për ushtarët e Serbisë është krejtësisht i papranueshëm. Unë pres që barrikadat e serbëve të Kosovës të largohen për t’u qetësuar situata. Përkrahje të plotë për dialogun e udhëhequr nga BE-ja”, ka shkruar Von Cramon në Twitter, transmeton Express.

Këtë shënim, eurodeputetja gjermane, që përcjell vazhdimisht zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë, e ka bërë mbi një reagim të kryediplomates së Gjermanisë.

“Kosova uli tensionet duke i shtyrë zgjedhjet lokale. Serbia e bëri të kundërtën me retorikën e saj së fundmi. Kërkesa për kthimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht i papranueshëm. Ashtu siç janë sulmet ndaj EULEX-it”, kishte shkruar mbrëmë Baerbock.

Ndaj shefes së diplomacisë gjermane kanë reaguar kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq.

Të ngjashme