Ambasadori francez në Kosovë ka folur edhe lidhur me atë se një gjë e tillë parashihet në Kushtetutën e Kosovës.
“Kushtetuta parasheh në nenin 11 të saj qarkullimin e një valute të vetme në Kosovë. Ne e njohim mirë këtë Kushtetutë, sepse siç e dini, ne e përkrahëm pavarësinë e Kosovës dhe ishim ndër të parët që e njohëm shtetin. Rregullorja sjell progres edhe në çështje të rëndësishme si lufta kundër financimit të krimit të organizuar dhe transparencë më e mirë e qarkullimeve financiare. Dhe gjithashtu dua të kujtoj se ne mbështesim qartë pavarësinë e Bankës Qendrore. Ajo është një element themelor i demokracive tona perëndimore dhe është në qendër të acquis evropiane.
Do të doja të sqaroja se mënyra se si zbatohet rregullorja i takon qeverisë dhe jo Bankës Qendrore. Nuk shoh asgjë në Kushtetutë që do t’i pengonte autoritetet e Republikës së Kosovës që të bëjnë konsultime të gjera para se të ndërmarrin masa që konkretisht ndikojnë në jetën e qytetarëve të caktuar”, tha ai.
Sipas tij, konsultimi duhet t’i paraprijë zbatimit.
“Është shumë e preferueshme të shmangni marrjen e vendimeve të tilla të rëndësishme pa përgatitje, informim dhe propozim të alternativave. Pushteti publik në një demokraci evropiane nuk është vetëm fuqia për të imponuar ose ndaluar, por është gjithashtu fuqia për t’i bërë të pranueshme ndryshimet nga një popullatë e ngritur/vetëdijësuar/edukuar që respekton rregullat e përbashkëta. Zgjidhjet ekzistojnë. Konkretisht, dialogu ofron një kornizë të përshtatshme për gjetjen e tyre dhe diskutimin me autoritetet kompetente të Serbisë. Për më tepër, nëse do të kishim një asociacion të komunave me shumicë serbe, një pjesë e problemit tashmë mund të ishte zgjidhur, sepse është pikërisht një nga qëllimet e asociacionit që financimi i Serbisë të bëhet transparent dhe i gjurmueshëm për të mirën e sistemit arsimor dhe shëndetësor”, tha ai më tej.
Diplomati francez po ashtu ka folur edhe për draftin që është propozuar të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai tha se Franca mbështet plotësisht statutet e propozuara për asociacionin të bëra nga BE-ja dhe sipas tij ky propozim është në përputhje me kornizën ligjore kosovare dhe garanton institucionet funksionale.
“Kosova ka marr angazhime për themelimin e këtij asociacioni që nga viti 2013 dhe është koha e fundit që të ecim përpara në bazë të këtij projekti shumë të mirë dhe me mbështetjen e partnerëve të Kosovës. Ne duam të njëjtën gjë si Kosova: një vend që funksionon dhe zhvillohet për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj. Dhe e duam atë tani”, tha ai.
Sipas ambasadorit Guerot Kosova ka shumë për të fituar nga dialogu dhe se marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit përbëjnë një hap të madh përpara që Kosova dhe qytetarët e saj kanë shumë interes për ta zbatuar.
Ai potencon se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i domosdoshëm sepse edhe pse koha kalon, gjeografia nuk ndryshon.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm për këto dy vende, por edhe për anëtarësimin tuaj në Bashkimin evropian, të cilit Kosova synon t’i bashkohet. Këto marrëveshje Bruksel-Ohër ofrojnë mbështetje të konsiderueshme për Kosovën dhe zhvillimin e saj socio-ekonomik. Populli i Kosovës dëshiron perspektivë më të mirë për veten, për fëmijët dhe kjo është pikërisht ajo që ne po ua ofrojmë”, tha ai.
Diplomati nga Franca është përgjigjur edhe rreth asaj nëse priten të hiqen masat sanksionuese ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe a do të ndikojnë zgjedhjet në BE në dialogun Kosovë – Serbi?
“Ju referoj në deklaratën evropiane të Bratislavës më 3 qershor: jo të gjitha kushtet janë përmbushur. Është e rëndësishme që shpejt të bëhen përpjekjet e nevojshme, po mendoj në veçanti organizimin e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, në mënyrë që në raportin e ardhshëm të BE-së të shihet se janë plotësuar kushtet për heqjen e masave.
Ka një dritare mundësie për t’u shfrytëzuar përpara rinovimit të institucioneve evropiane. Kjo do t’i mundësonte ekipit të ardhshëm të fokusohet në çështje të tjera të rëndësishme për Kosovën. Dinamika aktuale e zgjerimit është një mundësi për t’u shfrytëzuar. Kosova e ka vendin e saj brenda BE-së dhe tani është koha për të bërë përpjekjet e nevojshme për ta konfirmuar atë”, tha ai.