Lajme
Gjendet i vdekur edhe një tjetër milioner rus
Demokracia
15:43 | 27 Dhjetor 2022

Share:

Tajkuni rus Pavel Antov është gjetur i vdekur në një hotel në Indi, dy ditë pas vdekjes së shokut të tij nga i njëjti udhëtim.

Të dy ata po vizitonin shtetin lindor Odisha, dhe Antov, i cili po ashtu ishte politikan lokal, sapo kishte festuar ditëlindjen e tij në hotel.

Antov ishte figurë shumë e njohur në qytetin lindor Vladimir të Rusisë.

Gjatë verës, ai mohoi se kishte kritikuar luftën e Rusisë në Ukrainë, pas publikimit të një mesazhi në WhatsApp.

Vdekja e milionerit Antov është e fundit në vazhdën e vdekjeve të pashpjeguara të tajkunëve rusë qysh nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, shumë nga të cilët haptas kanë kritikuar luftën.

Ndërsa, mediat ruse thanë se Antov, 65-vjeçar, kishte rënë nga dritarja e një hoteli në qytetin Rayagada të dielën. Një tjetër anëtar i këtij grupi, Vladimir Budanov, vdiq në të njëjtin hotel të premten.

Autoritetet policore indiane thanë se Budanov kishte vdekur nga sulmi në tru, përderisa shoku i tij “kishte vdekur nga mërzia”.

Edhe konsulli rus në Kalkuta, Alexei Idamnkin tha për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve “Tass” se policia indiane nuk “kishte parë elemente kriminale në këto ngjarje tragjike”, raporton BBC, përcjell Klankosova.tv.

Pavel Antov themeloi plantacionin për procesimin e mishit “Vladimir Standard” para 20 vjetësh, kurse në vitin 2019, revista “Forbes” e vlerësoi pasurinë e tij prej 140 milionë dollarë.

Vdekja e Antovit duket e dyshimtë pasi që në muajin qershor ai reagoi ndaj një sulmi raketor rus në zonën rezidenciale në Kiev, ku mbet i vrarë një burrë, dhe vajza e gruaja e tij mbetën të plagosura.

Mesazhi i tij në WhatsApp përshkroi mënyrën se si u tërhoq kjo familje nga greminat me këto fjalë: “Është shumë e vështirë ta quash këtë ndryshe, pos terror”.

Ky mesazh më pas ishte fshirë dhe Antov pak më vonë postoi në media sociale se ai është mbështetës i presidentit, “patriot i vendit tim” dhe përkrahë luftën.

Qysh nga fillimi i luftës ruse në Ukrainë, shumë tajkunë rusë të profilit të lartë kanë vdekur në rrethana misterioze.

Në muajin shtator, u raportua se kreu i gjigantit të naftës ruse “Lukoil”, Ravil Maganov kishte rënë nga dritarja e spitalit në Moskë.

Të ngjashme