Lajme
Gjenden në Slloveni eshtrat e 3.200 të vrarëve nga partizanët e Titos
Demokracia
20:39 | 02 Nëntor 2022

Share:

Eshtrat e mbi 3200 njerëzve, të vrarë në fund të Luftës së Dytë Botërore, u zbuluan në një gropë në lokalitetin Kocevski Rog, në Slloveni.

Burimet e qeverisë së Lubjanës e raportuan lajmin në fund të një fushate gërmimi që zgjati nga qershori deri në fund të tetorit.

Bëhet fjalë për një varr masiv, më i madhi i zbuluar deri më sot: viktimat e masakrës janë kryesisht sllavë, të vrarë nga partizanët komunistë të Titos.

Ekzistenca e trupave të braktisur në luginën e Kocevski Rog ishte e njohur, por nuk dihej përmasa e tyre, derisa u ndërmor fushata për rikuperimin e viktimave.

Sipas asaj që u njoftua nga komisioni qeveritar slloven i cili mbikëqyri zhvarrosjen, shumica e mbetjeve tregojnë shenja të armëve të zjarrit: besohet se janë qëlluar para se të hidheshin në humnerë, por jo të gjithë u vranë menjëherë.

Disa skelete u gjetën përgjatë mureve të gropës, një shenjë sipas speleologëve se disa të mbijetuar nga plumbat e torturuesve të tyre janë përpjekur të ngjiteshin përgjatë murit të shkëmbit.

U gjetën edhe disa paterica, të cilat mund të tregojnë se disa nga të vrarët ishin gjithashtu të plagosur lufte.

Identifikimi i mbetjeve duket praktikisht i pamundur. “Shpreha pritshmërinë time që shteti dhe autoritetet përgjegjëse do të sigurojnë që të gjithë ata që u vranë dhunshëm gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, të kenë një varrim dinjitoz dhe që ata të kenë një vend në kujtesën historike të kombit”, tha Imzot Andrej Saje, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Sllovenisë.

Burimet historike, tregojnë se masakra e Kocevski Rog filloi në qershor të vitit 1945.

Me fitoren e formacioneve partizane të Marshallit Tito, kundërshtarët antikomunistë të kombësisë sllovene dhe kroate, ishin përpjekur të strehoheshin në Austri dhe ishin mbledhur në një kamp afër Klagenfurtit.

Britanikët, megjithatë, kishin vendosur për riatdhesimin e tyre. Sërish në Jugosllavi, të burgosurit, kryesisht civilë, u mbajtën për disa ditë në disa kampe dhe më pas u pushkatuan, pasi konsideroheshin bashkëpunëtorë të nazistëve dhe fashistëve ose në çdo rast kundërshtarë të regjimit të Titos.

Lugina e Kocevski Rog ishte zgjedhur si vend i masakrës, duke qenë një zonë e thellë./gazetaSi

Të ngjashme