Një sasi e madhe e substancave narkotike është gjetur në një veturë në Vërmicë të Prizrenit.
Dogana e Kosovës ka njoftuar se në pikëkalimin kufitar në Vërmicë është gjetur një sasi e madhe e substancave narkotike në një veturë.
Në medie është raportuar se bëhet fjalë përreth 7 kilogramë substancë narkotike e fshehur në një hapësirë të fshehur të veturës, shkruan Demokracia.com.
Sipas Doganës së Kosovës, kontrollimi i automjetit është duke vazhduar aktualisht, ndërsa rasti më tej do t’i dorëzohet Policisë së Kosovës për hetime të tjera.
“Njësitet Antikontrabandë në PKK Vërmicë gjatë kryerjes së detyrës kanë selektuar për kontrolle detaje një veturë të dyshimtë, dhe me këtë rast në hapësira të fshehura është gjetur substancë e dyshuar si narkotike. Për momentin është duke u vazhduar kontrolli, dhe pas përfundimit të kontrollit do të konstatohet sasia e saktë dhe rasti do t’i dorëzohet Policisë së Kosovës për hetime të mëtejshme”, ka njoftuar Dogana e Kosovës. /Demokracia.com/