Franca nuk është e gatshme të lëshojë “pe” për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët. Kjo i është bërë e ditur edhe diplomatëve të Kosovës me mision në Paris.
Demokracia.com ka mësuar se ditë më parë është organizuar një drekë pune mes përfaqësuesve diplomatikë të vendeve të rajonit, që shërbejnë në misionet diplomatike në Francë. Kjo drekë është organizuar në rezidencën e Ambasadës së Sllovenisë në Paris dhe aty është folur edhe për mos liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në mesin e këtyre diplomatëve ka qenë edhe Peter Grk, koordinator kombëtar për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Sllovenisë, i cili ishte për vizitë në Francë, por edhe ambasadori i Kosovës, Mehdi Halimi, së bashku me ambasadorët e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës.
Demokracia.com nga burime të mirëinformuara për temat që janë diskutuar në këtë drekë ka mësuar se ambasadorit Halimi i është bërë e ditur edhe aty se Franca nuk është e gatshme që të lëshojë pe për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ky informacion i është konfirmuar aty Halimit, duke iu referuar qëndrimeve të Presidencës dhe Drejtorisë për Evropën dhe Ballkanin në shtetin francez.
Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme që Franca nuk lëshon pe për liberalizimin e vizave pa arritur një kompromis të rëndësishëm, veçanërisht rreth dialogut në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Ambasadorit Halimi mësohet se i është bërë e ditur mbështetja që shumica e vendeve po japin për liberalizim të vizave para qershorit, për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe për gjetjen e një modaliteti bashkëpunimi më NATO-n. Megjithatë, problemi sipas tyre është se BE-ja është tejet e lodhur me Ballkanin Perëndimor, në mungesë të hapave konkretë përparues në shumë çështje, ku në rastin e Kosovës është specifikisht dialogu dhe marrëdhëniet me Serbinë.
Diplomatët e rajonit që shërbejnë në Francë mësohet se kanë shprehur dyshime edhe që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do u hapen negociatat me BE-në.
Demokracia.com ka mësuar me në fund të muajit qershor, më 23 dhe 24 qershor, pritet të mbahet një konferencë në Bruksel në formatin e presidentëve dhe kryeministrave të vendeve të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti Macron.
Po ashtu, sipas burimeve ndërkombëtare, një takim për Ballkanin Perëndimor pritet të organizohet edhe nga vetë presidenti Macron në Paris gjatë javëve të ardhshme.
Këto dy takime do të jenë vendimtare edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët, por edhe për propozimin e presidentit Macron për një “Bashkësi Politike Evropiane”, e cila po shihet si një “dhomë pritjeje” për të hyrë në BE.
Në këtë drekë pune është diskutuar edhe rreth vendimit që BE-ja pritet të marrë së shpejti për vendosjen e “Qendrës së Cyber Sigurisë” në njërin prej vendeve të rajonit tonë. /Demokracia.com/