Lajme
Gjatë pandemisë, Vjosa Osmani i quante mjekët heronj, por për një ndërhyrje të thjeshtë nuk i besoi sistemit publik shëndetësor
Demokracia
10:22 | 03 Nëntor 2022

Share:

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ende nuk është liruar prej spitalit privat “Aloka”, ku iu nënshtrua një operacioni të mërkurën.

Zyra e Presidentes ka njoftuar se Osmani ka kaluar në intervenim kirurgjik për heqjen e tëmthit. Megjithatë, këtë intervenim Osmani e kreu në një spital privat dhe jo në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, përkundër faktit që ky intervenim kryhet në QKUK që nga viti 2004.

Si duket, Osmani nuk po u beson institucioneve publike edhe pse gjatë kohës së pandemisë ajo i kishte quajtur mjekët heronj, shkruan Demokracia.com.

Gjatë një vizite në QKUK, në maj të vitit 2020, Osmani kishte thënë se “edhe pse në kushte jo të mira e në një sistem shëndetësor me shumë sfida, punonjësit tanë shëndetësorë me të drejtë po cilësohen si heronj që po shpëtojnë jetë në këto kohë të rënda”.

E duket se këtyre heronjve, Osmani nuk u besoi kur erdhi koha që ajo të binte vetë në duart e tyre, pasi që intervenimin për heqjen e tëmthit zgjodhi t’ua besonte mjekëve në një spital privat.

Ndryshe nga Osmani, ish-presidenti Hashim Thaçi gjatë kohës së pandemisë kishte kryer një intervenim kirurgjik në QKUK dhe jo në klinika private.

Për intervenimin e Osmanit në spitalin privat pati reagime të shumta.

Kirurgët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në një reagim të nënshkruar nga 18 kirurgë, kanë shprehur indinjata e tyre për anashkalimin e institucionit publik, në këtë rast Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në QKUK, nga Presidentja Osmani.

“Duke u bazuar në situatën aktuale Kolegjiumi i Kirurgëve të Kosovës reagon ndaj anashkalimit të Presidentes së Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmani, që i ka bërë këtij institucioni duke mos kërkuar trajtim shëndetësor në institucionin tonë, por pa u konsultuar fare me personelin udhëheqës, ka marr trajtim shëndetësor jashtë SHSKUK-së”, thuhet në këtë reagim.

Gazetari i Shëndetësisë, Bujar Vitija, ka thënë se ndërhyrja kirurgjike që presidentja Osmani e ka bërë në një spital privat mund të kryhet edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) që nga viti 20004.

Vitija e shpjegon se kjo ndërhyrje kryhet në QKUK, duke aluduar se presidentja nuk i ka besuar institucionit publik.

“Heqja e temthit (idhzes) ne QKUK kryhet me laparaskopi nga kirurget qe nga viti 2004. Eshte nje nga procedurat rutinore. Bile edhe ne spitalet rajonale ne vitet e fundit aplikohet kjo metode. E Presidentja Osmani para spitaleve publike zgjodhi nje spital privat per ta kryer kete procedurë”, ka shkruar Vitia në Facebook.

Ky ishte postimi i Osmanit për mjekët:

Edhe pse në kushte jo të mira e në një sistem shëndetësor me shumë sfida, punonjësit tanë shëndetësor me të drejtë po cilësohen si heronj që po shpëtojnë jetë në këto kohë të rënda. Prandaj, dua t’i falënderoj edhe një herë që të gjithë për vullnetin, punën e këmbënguljen e tyre për ta vazhduar betejën ndaj pandemisë dhe, shpresoj shumë, për ta fituar atë së shpejti. Megjithëse, pjesë e një sektori shëndetesor të lënduar ndër vite, me kurajon dhe angazhimin e tyre, ata e mundësuan menaxhimin e situatës me pandeminë dhe e ruajtën të gjallë shpresën.

Sfidat të cilat i solli pandemia, ndër të tjera, kanë prekur edhe praktikën e imunizimit/vaksinimit të fëmijëve duke e ndërprerë atë për gati dy muaj. Këto ditë, kur shkenca e ka kthyer vëmendjen në zhvillimin e vaksinës së re kundër COVID-19, ne duam të kujtojmë se rëndësia e imunizimit të femijëve mbetet jetike për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme.

Për këtë arsye, sot, së bashku me shefin e UNICEF-it në Kosovë, z. Murat Sahin, vizituam qendrën e imunizimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Ulpianë, për të parë nga afër rifillimin e vaksinimit të fëmijëve, proces i cili do të zhvillohet në 60 qendra gjithandej Kosovës.

Tashmë janë vendosur kontaktet me prindërit për të vazhduar me praktikat e vaksinimit. Ne duam që ta zgjerojmë edhe listën e vaksinave për femijët, për ta përafruar orarin dhe gamën e imunizimit me shtetet e zhvilluara.
Vaksinimi shpëton jetë.

Investimi në shëndetësi është investim në një të ardhme të shëndoshë. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

 

FOTO| Osmani ende po trajtohet në “Aloka”, veturat e zyrës së saj vazhdojnë të qëndrojnë aty

Të ngjashme