Lajme
Gjashtë vjet nga vrasja misterioze e Oliver Ivanoviqit
Demokracia
08:14 | 16 Janar 2024

Share:

Sot bëhen gjashtë vjet nga vrasja e  liderit të Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” (SDP), Oliver Ivanoviq (1953-2018). Ai u qëllua pas shpine me disa të shtëna me armë zjarri nga një veturë në lëvizje dhe u vra pesë vjet më parë para selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Oliveri u vra sepse nuk donte të luante sipas rregullave të të tjerëve”, citojnë mediat serbe.

Shumica e familjarëve sot në orën 11:00 do ta shënojnë këtë përvjetor në vendin ku u varros Ivanoviq, në Varrezat e Reja në Beograd.

Një pjesë e opozitës në Beograd – përfaqësues të Partisë Liri dhe Drejtësi, Lëvizja e Qytetarëve të Lirë, Lëvizja për kthim dhe sindikata Slog njoftuan se do të shënojnë përvjetorin e vrasjes së Ivanoviqit para kishës së Shën Markut në Beograd në orën 17:30.

Në fund të nëntorit 2021, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë filloi një seancë e re për vrasjen e tij.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur padi kundër gjashtë personave të nacionalitetit serb për këtë vepër (krim) Të akuzuar janë Marko Roshiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Sillvana Arsoviq dhe Rade Basara.

Ata akuzohen për veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, armëmbajtjes pa leje, zbulimit të sekretit zyrtar dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare duke manipuluar provat.

Sipas pretendimeve prokurorisë, të paktën edhe pesë të dyshuar të tjerë janë përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit.

Me vrasjen e Oliver Ivanoviqit lidhet edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, si dhe biznesmeni Zvonko Veselinoviq, por pas qëndron pushteti i lartë i Serbisë, i cili tha se ata janë marrë në pyetje me poligraf.

Në korrik të vitit 2017, Ivanoviçit i është djegur vetura dhe në intervistën e fundit që ka dhënë, kreu i GI SDP ka thënë se serbët në veri të Kosovës nuk kanë aq frikë nga shqiptarët sa nga serbët vendas, siç tha ai, “kriminelët dhe kapadainjtë që ngasin xhipat pa tabela”.

Të akuzuarit në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Nedeljko Spasojeviq (zyrtar i policisë), Marko Roshiq (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Sillvana Arsoviq (sekretarja e Oliver Ivanoviqit të vrarë), Dragisha Markoviq (zyrtar i policisë), Zharko Jovanoviq (zyrtar i policisë) dhe Radeta Basara (zyrtar i policisë), janë personat ndaj të cilëve është ngritur aktakuza.

Po ashtu, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policia e Kosovës, më 19 tetor, ka arrestuar M.M. nga komuniteti serb, me dyshimin se ai ishte anëtar i “grupit të organizuar kriminal”, i cili ndërlidhet me vrasjen e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq.

Me vrasjen janë ndërlidhen edhe Zheljko Bojiq (shef i operativës të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiq (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviq (afarist). Ndaj tyre nuk është ngritur aktakuzë, sepse ata ishin në arrati kur Prokuroria e Kosovës ngriti aktakuzën e parë.

Radoiçiq dhe Vesellinoviq, në aktakuzë, përmenden si “udhëheqës të grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq. Megjithatë, urdhërarresti për Millan Radoiçiqin u tërhoq në mars të vitit 2021, pa asnjë sqarim.

Prokuroria Speciale e Kosovës deri më tani ka ngritur tri aktakuza, por në to nuk ka pasur ndryshime thelbësore, gjegjësisht, përmenden vetëm personat që “me vetëdije dhe qëllimisht kanë ndihmuar grupin kriminal për kryerjen e veprës penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, por jo autori i vrasjes apo porositësi i saj.

Aktakuza e parë është ngritur në fillim të dhjetorit 2019, ndërsa në fund të dhjetorit të po atij viti prokurori i atëhershëm, Sylë Hoxha, ka paraqitur aktakuzën e dytë të ndryshuar.

Më pas, në nëntor 2020, u ngrit aktakuza e tretë,e pasi Gjykata e Apelit në Prishtinë e ktheu aktakuzën e mëparshme për plotësim.

Aleksandar Ivanoviq beson se duhet pritur “ndonjë moment tjetër politik”, në të cilin do të ketë “qëllime serioze dhe dëshirë” për të ndriçuar vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Beteja më e madhe po zhvillohet në hapësirën mediatike, ata i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit [Kosova dhe Serbia] se kanë faj për këtë. Përveç kësaj, nuk shihet gatishmëri serioze nga asnjëra palë. Në Beograd nuk ka një pasqyrë të qartë nëse dikush po udhëheq hetimin, cili prokuror është angazhuar”, thotë ai.

Përveç në Kosovë, hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë duke u zhvilluar edhe nga Prokuroria Speciale e Serbisë, por atje hetimet nuk kanë shkuar më larg se sa faza e hetimeve paraprake.

“Ka vetëm konferenca për shtyp të zyrtarëve të lartë të këtij vendi [Serbisë]. Kemi pasur vetëm njoftime pompoze se gjithçka do të dihet pas dy javësh, se Serbia di gjithçka, se Serbia ka emra, se Serbia ka prova… kur përmblidhet gjithçka, thelbi i gjithë kësaj është se shumë njerëzve nuk u shkon për shtati të zbulohet se pse dhe kush e vrau Oliver Ivanoviqin”, thekson Aleksandar Ivanoviq.

Kah mesi i vitit 2019, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se “Beogradi mendon se e ka emrin e vrasësit të Oliver Ivanoviqit”.

Duke iu drejtuar opinionit, ai tha se Millan Radoiçiq, i cili në Kosovë është lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, “nuk ka lidhje me këtë krim”.

“Millan Radoiçiq nuk është lule, por mund të themi me siguri se Radoiçiq, në asnjë mënyrë, nuk ka marrë pjesë në likuidimin e Oliver Ivanoviqit”, tha atëbotë presidenti i Serbisë.

Vrasje me gjashtë të shtëna në shpinë

Aleksandar Ivanoviq thekson se “rasti i vrasjes së Oliverit nuk duhet të lihet në harresë”, sepse siç thotë ai, pikërisht “me këtë adut kanë luajtur ata që kishin planifikuar atentatin mbi të”.

“Të gjithë ata shpresonin se kjo do të ishte vetëm edhe një vrasje tjetër, e cila do të harrohej pas disa muajsh. Mendoj se edhe ata janë të vetëdijshëm se nuk patën sukses. Është vetëm çështje qëndrueshmërie dhe këmbënguljeje. Do të vijë momenti kur gjithçka do të ndriçohet dhe dihet”, beson Aleksandar Ivanoviq.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, para objekteve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Ai ishte bartës i listës “Liri, Demokraci, Drejtësi – Oliver Ivanoviq” në zgjedhjet lokale të Kosovës, të cilat u mbajtën në nëntor të vitit 2017, disa muaj para vrasjes së tij.

Gjatë fushatës parazgjedhore për ato zgjedhje lokale, për shkak të frikësimit të serbëve në veri të Kosovës, katër kandidatë nga lista e tij u tërhoqën, ndërkaq vetë Ivanoviqit iu dogj vetura në Mitrovicë të Veriut.

Të ngjashme