Lajme
Gjashtë muaj pas inaugurimit, Spitali Pediatrik pa pranim teknik dhe jofunksional
Demokracia
14:22 | 31 Mars 2022

Share:

Më 21 mars të vitit 2016-të ishte vu gurthemeli i Spitalit Pediatrik-Kirugjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në vlerë prej 22 milionë euro.

Ky projekt ishte financuar me ndihmën e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kurse, më 13 shtator të vitit 2021, në kohën e fushatës elektorale për Zgjedhjet Lokale ishte bërë përurimi i këtij spitali dhe të pranishëm ishin presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ish-ministri Arben Vitia.

Pas 197 ditë të përurimit të tij, konkretisht më 28 mars të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për media kishte bërë të ditur se kishte filluar punën me shërbimet e hemato-onkologjisë dhe kirurgjisë pediatrike, shkruan Demokracia.com.

Por, anëtari i Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se përurimi i Spitalit Pediatrik është bërë pa pranimin teknik, duke akuzuar ekzekutivin se e kishte bërë në kohë të fushatës politike.

“Inaugurimi i Spitalit Pediatrik më 13 shtator 2021 pa u bë pranimi teknik dhe pa e marr lejen e përdorimit, duket se u bë për fushatë elektorale para zgjedhjeve lokale, sepse as për 6 muaj e gjysmë ky spital nuk është funksionalizuar në tërësi me kapacitetet që i posedon”, ka thënë Haxhiu për Demokracia.com.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga ishte nga avokueset më të mëdha që të ndërtohet ky spital për fëmijë, por puna në të u stërzgjat.

Në këtë spital, siç mëson Demokracia.com, janë duke u dhënë vetëm tri shërbime për fëmijë, ndërsa repartet tjera nuk janë funksionalizuar ende.

“Brenda këtij spitali janë funksionalizuar shërbimet e hemato-onkologjisë pediatrike, të kirurgjisë pediatrike dhe shërbimet e mjekësisë interne për fëmijë, ndërkohë që pritet të transferohen edhe neo-onatologjia, shërbimet ortopedike dhe shërbimet e tjera për fëmijë”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë, ditën kur ky spital u lëshua për punë me kapacitet të vogël.

Ndërsa, Spitali pediatrik–kirurgjik do t’i integrojë shërbimet e emergjencave pediatrike mjekësore, ato të traumës, shërbimet e observimit dhe rikuperimit, shërbimet e ambulancave specialistike pediatrike dhe kirurgjike. Pastaj, njësinë e radiologjisë së fëmijëve, sallat e operacioneve urgjente dhe të planifikuara, njësinë e kirurgjisë ditore dhe endoskopisë së fëmijëve, sterilizimin qendror, mjekimin intensiv të fëmijëve dhe të porsalindurve, departamentin e kirurgjisë së fëmijëve dhe departamentin e onkologjisë pediatrike. /Demokracia.com/

Të ngjashme