Lajme
“Gjashtë kushte, tri kushte, pa kushte”: Një historik i shkurtër i ‘kushtëzimeve’ të rëna të Kurtit për Asociacionin
Demokracia
17:18 | 13 Maj 2023

Share:

Profesimet e tij nuk e kanë pasur fatin t’i mbijetojnë asnjëherë kohës. Rrethanat ka ditur mirë t’i gdhend në favor të vetes, por edhe rrethanat e kanë gdhendur atë: një përpjestim simetrik ndërmjet farkëtimin dhe të qënit i farkëtuar. Është fjala për Albin Kurtin. Në Playbook-un e tij politik, në retrospektivë dhe retroaktivisht, gjejmë shumë “kushtëzime”; parakushte që Serbia duhet t’i përmbush “për të komunikuar” (2013) me Kosovën në mënyrë që të krijohen kushtet për të dialogur me Serbinë e kushtëzuar me njohjen e Kosovës. Tingëllon e ndërlikuar, por nuk është. Është fare e thjeshtë dhe kjo thënë jokushtimisht…

Ishte shkurti i këtij viti (2023) kur kishte marrë spotlight-in e Kuvendit dhe kishte nxjerrë “gjashtë kushte” ndaj Serbisë të cilat do ta bënin të mundur “konsiderimin” e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe. Po po…Asociacionin. Jo ato të llojit të “komunave të Maleve të Sharrit, ose të Bjeshkëve të Rugovës, ose komunat e Lumit Lepenc”, por atë që e kishte vetëpagëzuar si Zajednicë e Serbisë në Kosovë. Kishte bërë subversionin e madh të mbarë karrierës së tij.

Me deputetët pandehte se e kishte kollaj kur ato e lexonin se për herë të parë Kurti si përmes një membrane nga një realitet tjetër kishte paralajmëruar pranimin e Asociacionit. “Asociacioni po bëhet. Ai po bëhet”, alaramonte kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, derisa Kurti këtë të fundit e sfidonte t’ia kundërshonte “gjashtë kushtet”.

“A ka? Ndonjëri? Ndonjërën? Jo? Faleminderit shumë!”, thoshte me vetëbindjen më të madhe se i kishte qendisur kushtet më të hekurta ndaj Beogradit.

Këto kushte, thoshte Kurti, janë përtej kushtetuese. Këto s’janë kushte që mund t’i gjeni në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. A e dini ku i gjeni këto? “Te kryeministri i Republikës së Kosovës!”.

“Unë kam kushte politike që kanë bazë në aspektin demokratik, universal dhe evropian. Këto nuk janë kushte që t’i thotë Gjykata Kushteutese. Këto t’i thotë Kryeministri i Republikës së Kosovës. Dhe shpresoj që ju pajtoheni. Tregomëni ju si deputet të këtij Kuvendi a ka ndonjë prej qëtyne gjashtë kushteve që e kishit heq? Unë jam shumë i interesuar të dëgjoj a ka naj ndonjëri prej juve si deputetë që mendoni që ndonjërin Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti duhet me hjek? A ka? Ndonjëri? Ndonjërën? Jo? Faleminderit shumë!”, thoshte ai më 3 shkurt, 2023.

T’i shohim pak këto kushte…

Katër herë i përsëriti e i rilexoi ato gjatë seancës. “A ka ndonjëri që mendon se duhet hequr ndonjëri”, ishte pyetja me të cilin krijonte striking effect-in ndaj tyre.

Kushti numër (5): “Asociacioni është pjesë e Marrëveshjes Finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës”.

Cilës Marrëveshje Finale? Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e arritur në Bruksel dhe Ohër është Marrëveshje Bazike/Bazë. Është marrëveshje e ndërmjetme e cila Kosovën e lë në dialog me Serbinë për së paku edhe dhjetë vite tjera deri në një Marrëveshje Finale.

Cila njohje reciproke? Në këtë marrëveshje të arritur nuk ka njohje të ndërsjellë juridike por një “njohje de facto” tejet të diskutueshme e ku madje në Preambulë theksohet se Palët janë neutralë, përkatësisht zgjedhin “të mos paragjykojnë” çështjet e Statusit. Kurti insiston që Kosova nuk e njeh Serbinë dhe se kjo është njohje “de facto” e ndërsjellë, por Serbia nuk ka status të pacaktuar dhe është pjesë e OKB-së. Andaj edhe konfuzioni.
Kushti numër (3): “Të drejtat e pakicave duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive”.

Në Marrëveshje askund s’bëhet fjalë për “reciprocitet” në të drejta e as për komunitetin shqiptar në Serbi, përkatësisht Lugina e Preshevës. Por, çka bëhet fjalë aty, përkatësisht në Nenin 7, është se Kosova siguron “një nivel të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë”. Kaq edhe për reciprocitetin.

Kushti numër (1): “Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi”. Ky është një kusht i vendosur kaherë dhe i “kushtëzuar” nga qeveritë paraprake.

Kushti numër (6): “Presidenti i Serbisë i tërheq letrat te pesë shtetet anëtare të BE-së dhe te të tjerat për mospranim të Kosovës për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshje Thaçi-Daçiq”. Kusht ky i përmbajtur në Nenin 4 të marrëveshjes por edhe në Marrëveshjen e 2013.

Kushti numër (4): “Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në Veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”. Njëra pjesë e kësaj po ashtu pjesë e Marrëveshjes së vitit 2013, ndërkaq çarmatimi mbetet të shihet­…

Ndërkaq sot, këto gjashtë kushte, ndonëse vetëm tre muaj të vjetra, janë shndërruar në tre. Në kushtetuetshmëri (të siguruar nga Isa Mustafa në marrëveshjen e 2015); në Letrën e Mogherinit më 2015 se Asociacioni nuk përbën nivel të tretë të pushtetit (poashtu të siguruar nga Isa Mustafa, e pranuar tashmë edhe nga Glauk Konjufca); si dhe një Op/Ed nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar më 31 janar që Asociacioni do të jetë një aranzhim koordinues për komunat me shumicë serbe.

Nga gjashtë kushte, në tri kushte, në kërkimin e zbatimint “pa kushte dhe pa vonesa” të Marrëveshjes së Ohrit e cila është e sekuencuar asisoji për të nisur me Asociacionin. Një historik i shkurtër…/Nacionale/

Të ngjashme