Lajme
Gjakovë: Mungojnë avokatët, dëshmitaret dhe përfaqësuesja e komunës, shtyhet rigjykimi për korrupsion ndaj drejtorit të urbanizmit
Demokracia
12:19 | 27 Maj 2022

Share:

Për shkak të mungesës së avokatëve, Arianit Koci dhe Granit Vokshi, dëshmitareve Mirlinda Mullahasani dhe Teuta Bakija, si dhe përfaqësueses së Komunës së Gjakovës, Vjollca Shyti, ka dështuar të mbahet seanca e parë e rigjykimit, në rastin ku Arben Bakalli, drejtor i urbanizmit në Komunën e Gjakovës, si dhe Agron Gojani, ish-arkitekt, tash bashkëpunëtor profesional në këtë drejtori, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gojani po akuzohet se kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Bakalli se e ka nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në kompleksin “Orize” në Gjakovë, në kundërshtim me planin urbanistik, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ilir Rashkaj, tha se mbrojtësi i të akuzuarit Gojani, avokati Granit Vokshi, e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në këtë seancë për shkaqe shëndetësore.

Ndërsa, i akuzuari Bakalli tha se avokati i tij, Arianit Koci, nuk ka mundur që të marrë pjesë në këtë shqyrtim gjyqësor.

Për përfaqësuesen e Komunës së Gjakovës, Vjollca Shyti, gjykatësi Rashkaj tha se e njëjta e ka njoftuar gjykatën se gjendet në pushim vjetor.

Ndërsa, sipas gjykatësit, për dëshmitaren Mullahasani është kthyer fletëkthesa ku konstatohet se në atë adresë banon një familje tjetër, ndërsa sa i përket dëshmitares Bakija, thirrjen e saj konstatohet se e ka pranuar një person.

Dy të akuzuarit e lartcekur i propozuan gjykatës që këtë seancë ta shtyjë për një ditë tjetër, pasi që dëshirojnë të jenë të pranishëm mbrojtësit e tyre.

Prokurori Ramiz Buzhala, nuk e ka kundërshtuar propozimin që të shtyhet seanca, meqenëse njëri avokat mungon për shkaqe shëndetësore edhe pse sipas tij, mbrojtja për veprat penale me të cilat ngarkohen nuk është e obligueshme.

Seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 13 qershor, ku të gjithë ata që munguan do të ftohen me thirrje të rregullta.

Ndryshe, më 1 qershor 2021, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë Arben Bakallin, për keqpërdorim detyre. Për veprën e njëjtë, Agron Gojani, ishte dënuar me 1 vit burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Ndaj të akuzuarve ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ashtu që të dyve u ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh, pas vuajtjes së dënimeve.

Mirëpo, më pas Gjykata e Apelit, e ka anuluar këtë aktgjykim dhe rastin e ka kthyer në rigjykim, me arsyetimin se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se si i tillë ndikon edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 18 qershor 2020, Agron Gojani akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, arkitekt në Drejtorinë për Urbanizëm në Komunën e Gjakovës kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sillte dobi pasurore Teuta Bakijës, si dhe t’i shkaktonte dëm Komunës së Gjakovës.

Sipas aktakuzës, ai këtë e kishte bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Udhëzimin Administrativ 06/2017, me të cilin edhe pse paraprakisht i kërkohej bashkimi i parcelave para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, duke lëshuar vendim me të cilin kishte aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv me etazhitet B+P+8+KSH në gjashtë parcela kadastrale të familjes Bakija, në kundërshtim me planin urbanistik “Revidimi i Kompleksit Orize1/18 Gjakovë” të miratuar nga Kuvendi Komunal në Gjakovë. Aty thuhet se zona në fjalë, sipas projektit të komunës, ishte e paraparë të jetë zonë gjelbëruese gjatë gjithë segmentit rrugor deri tek tyrbja “Shën Shefqeti”.

Për këtë, Gojani akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, pika 2.1 të KPRK-së.

Arben Bakalli akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e Drejtorit në Drejtorinë për Urbanizëm Gjakovës kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sillte dobi pasurore Teuta Bakijës, si dhe t’i shkaktonte dëm Komunës së Gjakovës.

Sipas aktakuzës, ai këtë e kishte bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, pasi kishte nënshkruar vendim mbi kushtet ndërtimore sipas kërkesës së datës 29 dhjetor 2017 për ndërtimin e objektit kolektiv të lartcekur, më 28 mars 2018 kishte lëshuar vendimin për leje ndërtimore në kundërshtim me planin urbanistik.

Për këtë, ai akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi. 1 pika 2.1.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme
Lajme • 01 Qershor 2024