Lajme
Gjakovë: 300 ditë burgim e gjobë dy personave për marrje e dhënie ryshfeti
Demokracia
18:16 | 29 Nëntor 2023

Share:

Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar dy persona për shkak të marrjes dhe dhënies së ryshfetit.

Në njoftim thuhet se R.S. akuzohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, ndërsa i pandehuri Sh.N., sipas aktakuzës, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

Trupi gjykues ka nxjerrë aktgjykim dënues për të akuzuarin R.S., duke i shqiptuar dënim me 180 ditë burgim, gjobë në shumën prej 1000 euro, ndalim të ushtrimit të profesionit në afat prej 2 vjetësh, si dhe e ka urdhëruar t’ia paguajë të pandehurit -dëmtuarit Sh.N., shumën e të hollave prej 1000 euro, të cilën e ka përfituar si rezultat i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa të akuzuarin Sh.N., trupi gjykues e dënoi me 120 ditë burgim dhe 500 euro gjobë.

“I pandehuri R.S., është gjetur fajtor sepse, në mes të datës 06 deri 15 korrik 2021, në Gjakovë, në lokalin ‘N.N…-1’, rreth orës 12:20 min, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, në cilësinë e anëtarit të komisionit të elektroteknikës për super ekspertizë të caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Ekonomike, me aktvendim të dt.17.03.2020, në çështjen me nr. III.EK.165/19, ku paditës ishte Sh.N. – pronar i subjektit ‘V.N.’, në fshatin Llukë e Epërme, Komuna e Deçanit, ndërsa e paditur KEDS-Prishtinë, i pandehuri i ka bërë thirrje telefonike të dëmtuarit Sh.N., kërkon të takohet me të në Gjakovë, takohet në lokalin ‘N.N…-1’ dhe në bisedë e sipër, i dëmtuari i thotë se është lodhë nga pritja e lëndës që e ka në Gjykatë për dëmin që ka pasur nga djegia e shtallës, ndërsa i pandehuri i përgjigjet duke i thënë: ‘për këtë duhet të paguaj’. Lidhur me këtë, të njëjtit në fillim nuk pajtohen mes vete për shumën fillestare, mirëpo më pas bijnë në ujdi që njëherë t’i marrë 1000 euro, të cilat atë ditë i sjell vëllai/dëshmitari I.N. nga Deçani pasi e thërret në telefon i dëmtuari Sh.N., i cili i thotë: ‘a ke pare me vete, se po më duhen’, ashtu që i njëjti i përgjigjet, po kam, menjëherë ia sjell Sh.N. tek lokali ku po rrinin që të dy, e të cilën shumë prej 1000 euro, i dëmtuari ia dorëzon të pandehurit duke i thënë: ‘kryje punën dhe thirrëm në telefon që kreva punë, t’i sjelli edhe 500 të tjera’, për çka më pas, pas disa ditësh i pandehuri bën përshpejtimin e punës së tij si anëtar i ekipit të ekspertëve dhe Raporti i Super Ekspertizës me nr.III.EK.165/19, përfundon së punuari në Korrik 2021’, thotë Gjykata Themelore në Gjakovë, duke shtuar se me këtë rast, R.S. ka kryer vepër penale të “marrjes së ryshfetit”.

Ndërkaq, Gjykata thotë se i pandehurit Sh.N. është gjetur fajtor sepse, “në mes të datës 06 dhe 15 korrik 2021, në Gjakovë, në lokalin ‘N.N…-1’, në cilësinë e paditësit të subjektit ‘V. N.’, me seli në fshatin Llukë e Epërme, Komuna e Deçanit, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore tek personi tjetër, të pandehurit R.S. i kërkon që të ia përshpejtojë lëndën pasi është lodhë nga pritja e vendosjes së Gjykatës në Prishtinë, dhe për këtë ka pasuar përgjigja: ‘për këtë duhet të paguaj’, dhe me të rënë në ujdi për shumën, i pandehuri i kërkon para në telefon vëllait të tij – dëshmitarit I. N., dhe pasi i njëjti ia sjell nga Deçani, ku ia jep 1.000 Euro dhe i pandehuri po ashtu ia dorëzon në dorë të pandehurit R.S., duke i thënë: ‘kryje punën dhe thirrëm në telefon që kreva punë, t’i bi edhe 500 të tjera’, ashtu që pas disa ditëve, në fund të muajit korrik të vitit 2021 i përfundohet së punuari Raporti i Super ekspertizës për të, për çka edhe i kishte dhënë parat”.

Kështu, gjykata thotë se i pandehuri Sh.N. ka kryer vepër penale të “dhënies së ryshfetit”.

Të ngjashme