Para pesë ditësh është hapur një faqe në Facebook, me emrin “Demaskarimi”. E kjo faqe duket se qëllim ka denoncimin në mënyrë publike të keqpërdorimeve në Bashkësinë Islame të Kosovës.
Kjo faqe përmes një postimi ka akuzuar kryetarin e KBI në Ferizaj, hoxhën Fehmi Mehmeti, se ka keqpërdorur paratë e këtij institucioni.
“Duket ‘haxhi’ por s’është aspak i tillë. Fehmi Mehmeti kryetar i KBI Ferizaj apo ‘bankomati’ i Naim Tërnavës është ngërçi i zhvillimit të KBI Ferizaj për më dekadë e gjysmë. I llastuari i Naim Tërnavës së paku dy mandate ka qenë në krye të KBI Ferizaj radhazi, ndërsa mandatin e tretë tani përveç si kryetar është përzgjedhur nga Tërnava edhe si anëtarë i kryesisë së BIK”, thuhet në postim.

Më tej thanë se BIK ka krijuar edhe pozita që nuk ekzistojnë, për të ju bërë një vend pune për njerëzit e tyre.
“Janë krijuar pozita fiktive jo kushtetuese për një klik njerëzish që s’bëjnë hiç gjë si: Përgjegjës për varrime me përgjegjësi për të bërë dy telefonata në mëngjes e me kompensim financiar gati 800 euro. Mbi përgjegjës për anëtarësi me kompensim 200 euro– krahas përgjegjësve – gjegjësisht menaxhmentit dhe arkëtari që tradicionalisht i vetëm në të kaluarën e ka kryer këtë funksion”, thuhet në postimin e “Demaskarimi”.

Përveç akuzave ndaj kryetarit të BIK, kjo faqe denoncuan edhe xhenazexhiun e këtij institucioni në Ferizaj.
Në postimin e “Demaskarimi” thuhet se xhenazexhiu merr pagë prej 600 eurosh vetëm për dy telefonata në mëngjes.
“Në punën e tij që e përfundon për 4 min, plotëson një formular dhe bënë dy telefonata në mëngjesë, por zotëriu paguhet me pagë mbi 600 euro nga paratë publike të cilat me aq djersë secili nga ne i ndajmë për të ndihmuar fesë islame. Por ai shkon dhe e zëvendëson si imam edhe pse në Ferizaj ka plot nxënës e student të shkencave islame, kështu ju pak herët pagesa që merr është mbi 800 euro!”, thuhet në postim.
Po ashtu, thuhet se kjo pozitë as nuk ekziston në Kushtetutën e BIK.
