Sport
Giresse trajneri i shtatë në histori të Kosovës, këta ishin “timonierët” paraprak
Demokracia
16:53 | 23 Shkurt 2022

Share:

Kombëtarja e Kosovës në futboll ka emëruar trajnerin më të ri të ekipit kombëtar. Alain Giresse është prezantuar sot në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës nga kreu i saj Agim Ademi, shkruan Demokracia.com.

“Kam nderin që ta prezantoj trajnerin e ri, të mirënjohurin Alain Giresse. Besoj që emri i tij mjafton për të treguar se kush është. Jam shumë i lumtur që gjendet në mesin tonë dhe ka pranuar të jetë në krye të Ekipit  A. Me të do t’i futemi sfidës për të pasur sa më shumë rezultate të mirë”, ka thënë fillimisht presidenti i FFK-së Agim Ademi, para nënshkrimit me trajnerin e ri.

Trajneri francez merr drejtimin e “Dardanëve” pas shkarkimit të zviceranit Bernard Challandes më 13 tetor të vitit të kaluar.

69-vjeçari është vetëm trajneri i shtatë i Kombëtares së Kosovës në histori të saj.

Historiku i trajnerëve të ekipit kombëtar të Kosovës

Ajet Shosholli, trajneri i mirënjohur kosovar ishte i pari që drejtoi Kosovën, por në vitet e largëta. Shosholli ishte në krye të shtabit teknik në vitin 1991 deri në vitin 1996.

“Timonin” e ekipit pas largimit të Shoshollit e mori Bylbyl Sokoli, një tjetër trajner me nam në futbollin e Kosovës.

Aventura e Sokolit te Kosova zgjati dy vite deri në vitin 1998.

Radha ishte për trajnerin dhe drejtorin e tanishëm të Kombëtares, Muharrem Sahitin që drejtoi skuadrën kosovare nga viti 2005 deri në vitin 2006.

Sahiti gjatë karrierës së tij si trajner kishte drejtuar Gjilanin dhe Lepencin.

Po atë vit, pasues i Sahitit te Kosova u emërua, Edmond Rugova. Ky i fundit ishte pjesë e Kosovës për tri vite 2006 deri më 2009.

Trajneri me jetëgjatësinë më të madhe në Kombëtaren e Kosovës e kishte, Albert Bunjaku.

Bunjaku u emërua trajner i Kombëtares së Kosovës në vitin 2009, ndërsa e mbylli tek në vitin 2017.

Ai do të mbahet në mend si trajneri i parë i Kombëtares së Kosovës, për faktin se ishte në postin e ‘timonierit’ në kohën kur Kosova u pranua me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA, ndërsa ishte trajner edhe në ndeshjet e para kualifikuese të Kosovës.

Pas Bunjakut, u emërua një trajner i huaj. Zvicerani, Bernard Challandes për katër vite ishte në krye të ekipit kombëtar, ndërsa drejtoi Kosovën në kualifikimet për Kampionatin Botëror dhe Evropian.

Challandes u shkarkua në tetor të vitit 2021 për shkak të rezultateve jo të mira të “Dardanëve”.

Krejt në fund, sot më 23 shkurt 2022, FFK-ja e emëroi trajner francezin 69-vjeçar, Alain Giresse.

Giresse do të jetë në krye të Kosovës deri në nëntor të vitit 2023, pra deri në mbyllje të ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian./Demokracia.com/

Të ngjashme