Lajme
Giaufret ia përcjellë Vuçeviqit shqetësimin e BE-së për situatën në veri të Kosovës
Demokracia
15:28 | 24 Qershor 2023

Share:

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret, në një bisedë të shtunën me ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq, ka shprehur shqetësimin e thellë të institucioneve të Bashkimit Evropian për situatën e sigurisë në Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, të shtunën takoi delegacionin e BE-së në Beograd, më të cilët diskutoi për situatën e sigurisë në Kosovës, shkruan AP.

Ambasadori Francez, në këtë takim siç raportojnë mediat serbe, ka kërkuar nga autoritetet në Serbi që të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës në terren dhe të kthehen në tavolinën e bisedimeve në kuadër të dialogut në Bruksel.

Në anën tjetër, Vuçeviq ka theksuar se BE-ja duhet të marrë masa për të dekurajuar politikën e nxitjes së dhunës dhe shkaktimit të incidenteve.

Ministri i Mbrojtjes në këtë takim gjithashtu i ka treguar shefit të BE-së në Serbi se menjëherë pas bisedimeve në Bruksel, autoritetet e Kosovës kanë vazhduar “politikën e tyre të papërgjegjshme, të papjekur dhe të pamatur”, e cila, siç tha ai, i jep “goditje të rëndë të gjitha përpjekjeve për rivendosjen e dialogut dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë”.

Vuçeviq u ka bërë thirrje institucioneve të BE-së që të kontribuojnë aktivisht në de-përshkallëzimin e situatës.

Ai ka kërkuar gjithashtu lirimin e menjëhershëm të serbëve të arrestuar dhe ndërprerjen e arrestimeve të mëtejshme, tërheqjen e kryetarëve të komunave dhe forcave speciale të policisë nga veriu i Kosovës dhe themelimin e menjëhershëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Të ngjashme