Lajme
Gërxhaliu: Shqetësuese situata ekonomike në vend, qeveria me eufori proklamon rritjen ekonomike
Demokracia
16:02 | 06 Qershor 2022

Share:

Sikur shumë vende të botës, edhe Qeveria e Kosovës në këtë kohë krize financiare duhet t’i ndryshojë politikat tatimore dhe të ulë akcizën për disa produkte.

Kjo kërkesë vjen nga ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili thotë se rritja ekonomike nuk duhet të proklamohet me eufori nga Qeveria, pasi që Kosova përballet me shumë sfida, me mungesë të investimeve të huaja dhe mungesë të vendeve të reja të punës.

Gërxhaliu parasheh që këtë vit Kosova të ketë rritje ekonomike rreth 4 për qind.

“Kosovës i duhet një rritje ekonomike më e vogël, 3 apo 4 për qind, por që të ketë shume indikatorë. Të ketë investime të huaja direkte që për fat të keq jo që mungojnë, por po thuajse nuk ekzistojnë. Nevojiten vendet e reja të punës, mbështetje e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, rritje të eksporteve dhe mbi të gjitha kontaktim të punëve të kompanive kosovare në vendet e ndryshme dhe orientimi në digjitalizim dhe shërbime. Këto janë për të dëshiruar, por për momentin ka vërtet shumë më tepër hapësirë për t’u shqetësuar se sa për një eufori për rritje ekonomike enorme. Në veçanti kur vendet e zhvilluara evropiane janë duke u ballafaquar me pasoja të krizës, e analizojnë ndryshimin e akcizës, ndryshimin e politikës tatimore(TVSH), politika sociale dhe nuk e politizojnë pandeminë. Dhe dëmi më i madh që po i bëhet Kosovës në këtë moment, është politizimi i kësaj krize qoftë në aspektin social dhe ekonomik, por mbi të gjitha politik dhe debatues mes pozitës dhe opozitës”, thotë ai.

Eksperti i ekonomisë thotë se rritja ekonomike nuk duhet të ndodhë nga konsumi dhe remitancat.

Sipas tij, volumi i importeve ka rënë për afër 13.6 për qind.

“Në qoftë se merren parasysh referencat e tyre (FMN-se dhe BB-së) për rritje ekonomike, Kosova do ta ketë këtë vit një rritje ekonomike diku afër 4 për qind, por ajo çka është me rëndësi që dua ta ndaj me ju faktin që Kosovës i duhet një rritje ekonomike e ndërtuar në shumë indikator dhe jo vetëm në konsum dhe në diasporë. Mbi të gjitha duhet të kuptohet që rritja më e mirë ekonomike është ajo e cila e shijon qytetari dhe kjo nuk po ndodhë. Nëpër konferenca të institucioneve vendore shumë herë flitet me pompozitet për rritje të të hyrave, por vlen të theksohet se sot derisa po flasim, aspekti i volumit të importeve ka rënë për afër 13.6 për qind, ndërsa e kemi një rritje në aspektin financiar të vlerës së importuar që dëshmon se kriza e ka bërë të vetën, produktet enorme janë shtrenjtuar, inflacioni është në rritje, sot është më tepër se 11.2 për qind, dhe e tëra kjo po e godet qytetarin dhe shtresën e ulët, por po e faktorizon qeverinë duke thënë që po rriten numri i të hyrave. Po e them, po rritet numri i të hyrave në aspektin financiar buxhetor për hir të krizës, por jo në aspektin sasior ku e kemi një rënie me 13.6 për qind minus”, thekson Gërxhaliu.

Më tej, Gërxhaliu ka treguar indikatorët e rritjes ekonomike, që sipas tij, qasja e Qeverisë është e gabuar.

“Në qoftë se ne kemi rekomanduar që Kosovës i duhen shumë indikator ekonomik për të gjetur një mesatare të rritjes ekonomike, kjo ka hasur në keqkuptim, por e tërë rritja e promovuar është ndërtuar në dy apo tre indikator, indikatori i parë ka qenë rritja e remitancave, indikatori i dytë ka qenë pjesërisht shtimi i eksporteve dhe indikatori i tretë ka qenë konsumi. Kështu në qoftë se shpenzon dhe i rritë shpenzimet dhe ka pak të hyra dhe me theksuar se ka rritje ekonomike , është një qasje e gabuar”, thekson ai.

Të ngjashme