Lajme
Gërxhaliu për “Ballkanin e Hapur”: Kosova s’duhet të ketë politikë refuzuese, të marrë mbështetje nga SHBA dhe BE
Demokracia
18:28 | 08 Qershor 2022

Share:

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka dhënë mbështetje iniciativës rajonale Ballkani i Hapur.

Në samitin e Ohrit nëpërmjet një video-lidhjeje, Escobar ka vlerësuar se SHBA-ja e përkrah këtë iniciativë.

Diplomati amerikan ka vlerësuar se Ballkani Perëndimor ka rritje të madhe ekonomike, duke shtuar se ka potencial të jetë qendër e energjisë ripërtëritëse.

E këtë qëndrim të Escobar, po e mbështet edhe njohësi i çështjeve ekonomike në Kosovë, Safet Gërxhaliu.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se jo vetëm Kosova, por i gjithë Ballkani Perëndimor do të përfitonte nga iniciativa “Ballkani i Hapur”, nëse të gjitha vendet do të trajtoheshin në mënyrë të njëjtë, siç theksoi i dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas tij, Kosova nuk ka komoditet të gjenerojë politika refuzuese dhe duhet të ketë mbështetjen e SHBA-së dhe vendeve evropiane.

Ai thotë se duhet t’i bëhet presion edhe Serbisë.

“Rruga drejt integrimeve në familjen evropiane nuk ka alternativë. Mekanizmi kyç i arritjes i një objektivi të tillë për Kosovën është avancimi i dialogut i partneritetit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Duhet të kuptohet që edhe në të kaluarën janë krijuar iniciativa, mirëpo për hir të opinionit duhet të qartësohet se asnjë iniciativë rajonale, e cila do të ketë rezultate pozitive në qoftë se të gjitha shtetet anëtare nuk janë të barabarta. Në këtë drejtim pajtohem plotësisht me qëndrimin e Escobarit, përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili kërkon që këto shtete anëtare të jenë të barabarta, mirëpo nga vetë fakti që Serbia e ka një qasje destruktive përballë Kosovës, vetë fakti që me vite të tëra bisedohet dhe nuk është arritur marrëveshje për tabela që është çështja më teknike, atëherë si mund të jemi të barabartë në këtë iniciativë. Prandaj besoj se është koha që presioni duhet të bartet tek Serbia dhe jo tek Kosova dhe në anën tjetër, Kosova nuk ka komoditet të gjenerojë politika refuzuese. Kosova kërkon vetëm barabarësi dhe jo atëherë kur arrin të funksionalizohet një iniciativë, të shpiket një iniciativë tjetër. Ju e dini që arritura më e madhe në Ballkanin Perëndimor ka qenë Procesi i Berlinit, kanë qenë marrëveshjet e nënshkruara në Samitin e Berlinit të mbajtura në Shkup dhe në Sofje dhe mu në këtë drejtim kur u pa që këto shtete duhet të jenë të barabarta, atëherë u vendos që të shpiket “Open Ballkan”. Prandaj duhet kujdes, duhet maturi, jo politikë refuzuese, por duhet vërtet të kemi mbështetje të saktë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, edhe nga vendet evropiane, në veçanti nga një Evropë, e cila çdo ditë e më tepër po tregohet e brishtë, sidomos pas luftës mes Rusisë dhe Ukrainës”, u shpreh Gërxhaliu për Demokracia.com.

Gërxhaliu, po ashtu, ka deklaruar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, do të përfitojnë nga kjo iniciativë, po që se do të trajtoheshin të gjitha në mënyrë të barabartë.

Megjithatë, Gërxhaliu shprehet skeptik se mund të ndodhë një gjë e tillë për shkak të refuzimit të Serbisë për Kosovën.

“Deklarata e Escobarit duhet të analizohet fare mirë, Escobari kërkon barazi që kjo marrëveshje, kjo iniciativë rajonale të kalojë mbi aspektin ekonomik, të ketë edhe gjithëpërfshirje politike, ekonomike e kulturore. Dhe këtë decidivisht nuk e pranon Serbia, prandaj vërtet Kosova nuk duhet të ketë politikë refuzuese, por duhet të koordinohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me shtetet mike evropiane. Në qoftë se nuk do të ketë barabarësi dhe nuk do të jenë të gjitha shtetet e barabarta dhe nuk do të ketë qasje selektive, por gjithëpërfshirëse, Kosova mund të ketë, do të thotë përfitime jo vetëm Kosova, por edhe Ballkani Perëndimor. Është një treg rajonal i fuqishëm, është një iniciativë që mundëson krijim të vendeve të reja të punës, krijon harmonizim të legjislacionit të dokumenteve, mirëpo po flasim gjithmonë sikur dhe nëse vërtet Serbia do ta njeh Kosovën dhe do t’i eliminojë këto barriera. Por, unë jam skeptik që Serbia ka gatishmëri ta pranojë këtë realitet të krijuar të quajtur Republika e Kosovës, në veçanti kur dëgjohet kohëve të fundit vokabulari, qoftë i Vulinit, Petkoviqit, qoftë i shumë zyrtarëve tjerë serbë në skenën politike”, theksoi ai. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

Rama: Konfliktet në rajon zgjidhen vetëm me “Ballkanin e Hapur”

Theksojmë se Kosova ka refuzuar që të bëhet pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”, përderisa Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina këtë herë kanë pranuar që vetëm të jenë vëzhgues në takimin e mbajtur në Ohër të Maqedonisë së Veriut. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

Edhe Vuçiq fton Kosovën të jetë pjesë e “Ballkanit të Hapur”: Kjo nismë s’duhet të ndalet

Të ngjashme